Shkup, 29 nëntor – Me pesëdhjetë milionë denarë Qeveria do ta mbështesë botimin dhe shpërndarjen e mediave të shtypura në vend.
Mjetet e parapara do të ndahen për mediat e shtypura, të cilat botohen në gjuhën maqedonase në vlerë prej 50 për qind për shpenzimet e bëre për botim dhe 50 për qind për shpenzimet e bëra për shpërndarje.Për mediat të cilat botohen në gjuhët e bashkësive etnike do të ndahen mjete në vlerë jo më të vogël se 50 për qind dhe jo më të madhe se 70 për qind për shpenzimet e bëra për botim dhe shpërndarje.
Dhjetëra media të shtypura, aq sa mbetën në vend, do të duhet t’i përmbushin të gjitha kriteret të cilat i përmban Programi për mbështetje për botimin dhe shpërndarjen e mediave të shtypura, që ishte miratuar në seancën e fundit qeveritare.
Kriteret, siç theksoi ministri pa resor, përgjegjës për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski në konferencën e sotme për shtyp, janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Shfrytëzues të këtyre mjeteve janë mediat e shtypura me karakter të përgjithshëm, të cilat publikojnë përmbajtje drejtë informimit pa ndërprerje të opinionit për çështjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Një nga dokumentet e nevojshme gjatë parashtrimit të kërkesës për mbështetje është dëshmia se media në fjalë i ka përmbushur të gjitha detyrimet drejtë shtetit dhe secila media do të duhet në tërësi t’i ketë paguar pagat dhe kontributet për të gjithë të punësuarit”, theksoi Popovski.
Pas përfundimit të gjithë procesit, shtoi ai, opinioni do të jetë i informuar për atë se secili medium ka marrë mbështetje financiare, sa është vlera dhe cili medium eventualisht nuk i ka përmbushur kushtet.
Në përgatitjen e Programit ishin përfshirë Asociacioni për mbrojtjen e mediumeve të shtypura kombëtare, propozime të tyre kishte dorëzuar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ndërsa në procesin e bisedimeve ndërmjet Asociacionit dhe Qeverisë rolin më të madh e kishte luajtur Misioni i OSBE-së.
Lirim Dullovi, kryetar i Asociacionit dhe redaktor i gazetës “Koha”, theksoi se kjo ndihmë është kontribut për gazetari profesionale. Përkujtoi se deri në vitin 2003 secila qeveri ka ndarë deri në një milionë euro ndihmë për mediat e shtypura, por këtë herë për atë se si ndihmat do të ndahet janë propozime të Asociacionit, ndërsa Qeveria, siç tha, i ka miratuar pa vërejtje.
Me këtë, tha Dullovi, do të parandalohen përpjekjet eventuale të partive politike për ndikimin e tyre në hapësirat mediatike.
Theksoi se në gjithë këtë proces kanë ndihmuar të gjitha organizatat, shoqatat të cilat janë të lidhura me fellën, por faktor më i madh dhe përkrahje më të madhe kanë pasur nga Misioni i OSBE-së, i cili që nga momenti i parë ishte ofruar që të jetë partner në kontaktet dhe bisedimet me Qeverinë, të cilat kanë zgjatur një vit.
“Me këtë ndihmë kthehet shpresa në mesin e mediave të shtypura, tha ai dhe theksoi se që nga viti i ardhshëm është planifikuar që ky vendim të realizohet nëpërmjet ligjit konkret dhe të jetë sistematik, me qëllim që të mos lejohet hapësirë që në të ardhmen kjo çështje të keqpërdoret nga qeveritë e ardhshme.
Në pyetjen se a parashihen edhe mjete për mbështetje të mediave elektronike, Porpovski theksoi se secila iniciativë, e cila do të rrjedhë nga organizatat kompetente nga fella do të shqyrtohet.