Pesë persona kanë vdekur dhe së paku 40 janë plagosur nga sulmi i së mërkurës në qytezën Uestministër të Londrës. Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia. Mediat britanike thanë se policia ka bastisur sot një apartament në Birminghem, por nuk dhanë më shumë detaje.
Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës. “Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May. May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.
Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia. Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se policia beson se e di kush është sulmuesi dhe se ai është frymëzuar nga terrorizmi që lidhet me islamizmin. “Ne e konsiderojmë këtë si incident terrorist dhe Komanda Anti-Terrorizëm është duke kryer hetimet në shkallë të plotë”, tha Rowley.
Polici i vrarë është identifikuar si Keith Palmer, 48 vjeç, bashkëshort dhe baba. Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se britanikët “nuk do të frikësohen nga terroristët”. “Mesazhi im për ata që duan të na dëmtojnë dhe të na shkatërrojnë mënyrën e jetesës: Nuk do të keni sukses, nuk do të na ndani”, tha Khan. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump i ka ofruar kryeministres britanike, May, bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit.
“Qyteti i Londrës dhe qeveria e Madhështisë së Saj kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane, për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për t’i sjellë përgjegjësit përapara drejtësisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. Dhuna jashtë Parlamentit britanik ka ndodhur në përvjetorin e parë të sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë 32 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur. Ekstremistët e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në kryeqytetin belg.