Gjendja me ajrin pritet që të përkeqësohet gjatë periudhës vijuese, pasi që ka filluar sezoni i ngrohjes dhe pjesa dërmuese e qytetarëve përdorin drurin dhe lëndë tjera të ndaluara për djegie
Urim HASIPI
Gostivar, 26 tetor – Qyteti i Gostivarit do të furnizohet edhe me dy stacione matëse për kualitetin e ajrit. Momentalisht në këtë qytet ka dy stacione matëse të cilësisë së ajrit, dhe bashkë me tre ekzistueset do të japin një pasqyrë më reale se çfarë ajri thithin banorët e këtij qyteti. Dy stacionet matëse të cilësisë së ajrit me sensor do të vendosen brenda dy jave. Lokacionet ende nuk janë caktuar por përflitet se do të vendosen rrugës për në Rusino. Për këtë qëllim Komuna e Gostivarit tashmë ka nënshkruar memorandum për bashkëpunim me një grup qytetarësh, të cilët kohë më parë kanë vendosur dy stacione matëse. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari pohon se me këto pesë stacione matëse do të kenë një pasqyrë më reale të gjendjes me ndotjen e ajrit.
“Me një grup qytetarësh kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi dhe brenda dy jave besoj se do të vendosen edhe këto dy stacione matëse. Me këtë ne do të arrijmë të kemi një rrjet prej 5 stacioneve matëse. Besojmë se një do të vendoset edhe në objektin e Komunës së Gostivarit, me qëllim që qytetarët në çdo kohë të shohin se sa është ndotja nga pesë vende të ndryshme”, pohoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Nga sektori për ekologji në këtë komunë thonë se kjo bëhet që të informohen qytetarët për cilësinë e ajrit, pasi që kjo tashmë është punë e komunës dhe kryetarëve të komunës. Boban Belovinov, pjesë e ekipit të qytetarëve që do të vendosin edhe dy stacione tjera, thotë se rezultatet nga matjet e cilësisë së ajrit janë relevante, pasi që bëhet fjalë për teknologji të avancuar. “Ideja na erdhi në kohën e dimrit, gjatë vitit 2018, kur ishte e qartë se ndotja është e lartë, por nuk kishin informacione rreth ndotjes dhe ne ndërmorëm hapa konkret si iniciativë qytetare dhe më pas na u bashkua edhe Komuna e Gostivarit, të cilët mund të shihen në aplikacionin Ajri Im”, thotë Belovinov.
Nga kjo iniciativë qytetare theksojnë se në fillim ka patur hezitime për rezultatet, sidomos gjatë ndryshimit të temperaturave, por gjatë këtyre dy viteve nuk ka patur asnjë problem rreth rezultateve për ndotjen e ajrit në Gostivar. Në qytetin e Gostivarit momentalisht ka tre stacione matëse të cilësisë së ajrit, njëra në oborrin e Shkollës fillore “Goce Dellçev”, njëra tek tregu dhe tjetra afër një ish fabrike në qytetin e Gostivarit. Edhe nga Komuna e Gostivarit edhe nga iniciativa qytetare nënvizojnë se me këto 5 stacione matëse që do të jenë në një rrjet, do të ketë një pasqyrë më të mirë të gjendjes së ajrit në territorin e Komunës së Gostivarit. Gjendja më ajrin pritet që të përkeqësohet gjatë periudhës vijuese, pasi që ka filluar sezoni i ngrohjes dhe pjesa dërmuese e qytetarëve përdorin drurin dhe lëndë tjera të ndaluara për djegie. (koha.mk)