Pesë persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë lënduar gjatë një rrëmuje në një stadium në Angola, pas një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve të Afrikës të shtunën. Incidenti ndodhi në stadiumin Estadio 11 de Novembro në Luanda të Angloas, pas ndeshjes mes Primeiro de Agosto dhe Mazembe. Kjo ndeshje, e cila përfundoi me rezultat 0-0, ishte e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të Afrikës, përcjell Gazeta Express. Dyert e stadiumit ishin mbyllur pas përfundimit të ndeshjes dhe tifozëve nuk iu lejua largimi. Për këtë arsye, aty u bë shumë rrëmujë pas hapjes së dyerve pasi që të gjithë tentuan të dalin sa më shpejt dhe shumë tifozë u shkelën nga kuajt e policisë. Ministria e Sportit të Angolës e ka lëshuar një deklaratë zyrtare të dielën, ku shkruajnë se ata pendohen dhe ndihen keq për pesë personat e vrarë dhe shtatë të lënduarit. Ata, gjithashtu, bënë të ditur se personat e lënduar tanimë janë liruar nga spitali. Për më tepër, ata i fajësuan organizuesit e ndeshjes, pasi që sipas tyre shtyrja e kohës së fillimit të ndeshjes kishte bërë që dyert të mbetnin të mbyllura edhe pas përfundimit të ndeshjes. Megjithatë, hetimet për këtë incident nuk kanë përfunduar, kështu që shkaku i vërtetë ende nuk dihet. Vitin e kaluar, 17 persona kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë ishin lënduar në një rrëmujë stadiumin e Uiges, një qytet në veri të Angolas.