Ndeshjet e kombëtareve kanë përfunduar. Trajneri i Real Madrid, Julen Lopetegui, tani e ka të qartë ndikimin që ka patur i ashtuquajturi “virusi i FIFA-s” te skuadra e tij. Ai duhet të përgatisë skuadrën dhe veten për 15 ditët e ardhshme, një periudhë gjatë së cilës ata do të përballen me pesë kundërshtarë dhe që mund të jetë vendimtare për sezonin e “Los Blancos”.
5 ndeshje në 15 ditë
Real Madrid do ta nisë serinë e ndeshjeve të shtunën kundër Levante-s. Nuk është një ndeshje e vështirë në letër, por publiku i “Bernabeut” do të presë një përmirësim të lojës dhe 3 pikët, duke parë se ekipin do ta presin sfida më të rëndësishme pas takimit të së shtunës.
Për sa i takon përballjeve me peshë, janë të pakta ndeshjet e botës së futbollit që mund të krahasohen me “El Clasico”. Beteja e “Camp Nou” do të zhvillohet të dielën më 28 tetor (16:15) dhe janë të shumtë ata që e shohin këtë sfidë si ajo që do t’i japë fund aventurës së Lopetegui-t me Real Madrid. Megjithatë, nëse madrilenët do të bëjnë një hap fals kundër Levantes ose në mesjavë, në ndeshjen e Champions League kundër Viktoria Plzen, Real mund të paraqitet në “Camp Nou” me një trajner të ri.
Post-“El Clasico”
Pas përballjes me Barcelona-n, Real Madrid do të luajnë në Kupën e Mbretit me një kundërshtar të kategorisë së dytë ose të tretë të futbollit spanjoll, që do të përcaktohet në shortin që do të hidhet të premten. Pritet që Lopetegui, nëse do të jetë akoma në detyrë, do ta shfrytëzojë këtë takim për të aktivizuar disa nga lojtarët e rinj të ekipit dhe për t’i dhënë pak frymëmarrje titullarëve.
Në fund, ndeshja e pestë do të jetë në kampionat kundër Valladolid-it të “Fenomenit”, që do të zhvillohet në “Bernabeu” 3 nëntorin e ardhshëm (16:15).