Zinedin Zidan u rikthye për të shpëtuar Realin e Madridit, por 5 muaj më vonë, ekipi “galaktik” nuk e ka gjetur ende qetësinë. Fantazmat në “Santiago Bernabeu” janë shfaqur sërish dhe dyshimet duket se do ta shoqërojnë ekipin edhe në këtë sezon. Tifozët nuk janë aspak të kënaqur nga momenti që po kalon skuadra.
Në bandën e të akuzuarve ka përfunduar edhe trajneri Zinedin Zidan, edhe pse ai është i sigurt se Reali do të bëjë një sezon mjaft të mirë.
Kështu shfaqet në takimet me drejtuesit, në momentin kur ata e pyesnin për skuadrën. Beson te ky grup lojtarësh, por lëvizjet e fundit për rikthimin e Hamesit dhe Bejlit konfirmojnë faktin se ligjin aty nuk e bën francezi. Për më tepër, zëvendësimet e trajnerit të Realit në pjesën e dytë në ndeshjen kundër Vajadolidit nuk janë kuptuar nga tifozët.
PIKËT E ARTA- Fitorja në debutimin e kampionatit kundër Selta Vigos shërbeu për të rikthyer qetësinë pas një faze përgatitore shumë negative. Në ndeshjen e dytë erdhi menjëherë barazimi dhe vendimet e trajnerit në këtë sfidë ishin të paqarta.
Zidan ka marrë të gjithë “dashurinë” e mundshme nga klubi si me lojtarët e afruar, ashtu edhe me ata të larguar. Sigurisht që çështja “Pogba” ka turbulluar pak situatën në skuadër. Ai vazhdon t’u besojë të njëjtëve futbollistë (gardës së vjetër) dhe mendon se ata janë të duhurit që mund ta rikthejnë qetësinë te Reali. Problemi është se pavarësisht dëshirës që kanë këta futbollistë, rezultatet nuk po vijnë.
NË PROVË- Mund të tingëllojë e çuditshme, por muaji shtator është shumë vendimtar për të ardhmen e Zidanit. Tifozët nuk e konsiderojnë më të paprekshëm dhe mendojnë se ai nuk është i duhuri në këto momente për të ringritur skuadrën.
Pesë ndeshjet, të cilat nisin me Vijarealin dhe përfundojnë me Atletikon dhe Sevijen, janë vendimtare për fatin e trajnerit. Nëse nuk i kalon me sukses, atëherë rrezikon shkarkimin. Mund të themi se procesi ka nisur që tani dhe të parët që e kanë “shkarkuar” janë tifozët, duke mos pasur besimin e plotë te francezi.