Shkup, 8 shkurt – S’ka mundur se si ti përfundojë më mirë skuadra e Shkupit përgatitjet në Ohër. Djemtë e Ardian Nuhiu, në ndeshjen e pestë kontrolluese kanë arritur fitore. Me rezultatin 3:1, Shkupi sot ka mundur skuadrën e Borac Çaçak nga Serbia, në një ndeshje tipike kampionale. Gjatë 90-të minutave bardhekaltërit kanë dominuar, ku të dyja pjesët i përfunduan në favor të tyre. 45-së minutat e para përfunduan me 2:1, ku autor të golave ishin Ermedin Adem dhe Fisnik Zuka, pavarësisht se serbët ishin ata të cilët të parët kishin kaluar në epërsi. Në pjesën e dytë, fitoren e vulosi Muharem Bajrami, me një eurogol nga 25 metra. Ndryshe, me lojë të mirë është dalluar Jasir Asani, i cili asistoi në dy golat e parë dhe ishte i pandalshëm për futbollistët serb. Derisa, pas golit të tretë, Ardian Nuhiu ka bërë disa zëvendësime, duke inkuadruar në lojë futbollistët e rinj. Ekspedita e FC Shkupi nesër (e enjte) rikthehet nga Ohri, ndërsa lojtarët do të kenë dy ditë pushim, që më pas të vazhdojnë përgatitjet për sezonin pranveror i cili fillon më 18 shkurt, ndërsa Shkupi ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër kampionit aktual Vardar. Cekim, disfatën e vetme ku Ardian Nuhiu kishte luajtur me futbollistët e rinj, Shkupi e pësoi nga Gostivari, ndërsa fitore kishin arritur ndaj Novacit, Makedonia Gj.P., FC Krupa dhe së fundmi Borac Çaçak. (koha.mk)