“Ne jetojmë me qira dhe paguajmë 150 euro në muaj. 50 euro paguajmë rrymë dhe të dhëna tjera, poashtu nga ndihmat që na janë dhënë atë kohë, ne po mbijetojmë. Këto mjete që i kemi harxhohen dita-ditës dhe ne nuk mund të blejmë banesë për të jetuar, prandaj edhe kërkojmë që të na ndihmohet kush ka mundësi”, thotë 73-vjeçari Sulejman Zylbehari
Urim HASIPI
Tetovë, 12 korrik – Tashmë kanë kaluar mbi 5 muaj që kur familja Zylbehari përjetoi tragjedi të rëndë, ku humbën jetën 5 anëtarë të kësaj familje si pasojë e zjarrit. Ngjarja e 25 janarit të këtij vitit kishte tronditur jo vetëm Tetovën, por dhe rajonin më të gjerë, ku jetën e humbën katër fëmijë dhe nëna e tyre, shkruan gazeta KOHA. Sot, shtëpia ku ndodhi tmerri, është nën gërmadha dhe e njëjta nuk është rregulluar. Në këtë shtëpi, sot takuam edhe kryefamiljarin plakun Sulejman Zylbehari i cili humbi nusen e djalit dhe katër fëmijët e saj. Kjo familje, e cila dikur kishte nëntë anëtarë, sot ka vetëm tre, ngase edhe një vajzë e vogël vite më parë kishte humbur jetën në një aksident. Tashmë tre anëtarët jetojnë në një banesë me qira në Tetovë. Kjo familje kërkon që të rregullojë këtë shtëpi, por mjetet nuk u mjaftojnë.
“Ne jetojmë me qira dhe paguajmë 150 euro në muaj. 50 euro paguajmë rrymë dhe të dhëna tjera, poashtu nga ndihmat që na janë dhënë atë kohë, ne po mbijetojmë. Këto mjete që i kemi harxhohen dita-ditës dhe ne nuk mund të blejmë banesë për të jetuar, prandaj edhe kërkojmë që të na ndihmohet kush ka mundësi”, thotë Sulejman Zylbehari, kryefamiljar.
Ai tregon se djali i tij tashmë nuk është në gjendje të punojë për shkak të problemeve shëndetësore, kurse në këtë shtëpi nuk dëshiron të kthehet dhe kërkon banesë, gjegjësisht mjete shtesë, sepse deri më tash ka grumbulluar rreth 25 mijë euro, mjete të Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Por kryefamiljari Sulejman Zylbehari apelon që të rregullojë këtë shtëpi për të jetuar me gruan e tij, ndërsa djali të vazhdojë të jetojë në banesë.
“Komuna na ka ndihmuar në atë kohë me rreth 20 mijë euro, kurse pesë mijë euro na ka dhënë Qeveria. Por djali nuk dëshiron të kthehet më në këtë shtëpi, sepse këtu i ka humbur pesë anëtarë të familjes së tij. Ai, me ato mjete nuk mund të blejë banesë, sepse nuk mjaftojnë. Por edhe nëse blen banesë, vështirë se mund të jetojmë atje të gjithë, prandaj edhe kërkojmë që ta rregullojmë këtë shtëpi dhe kërkojmë ndihmë prej të gjithëve”, thotë për KOHA, Zylbehari.
Sipas tij, djali gjithnjë ka probleme shëndetësore si pasojë e tragjedisë dhe nuk mund të shkojë në punë, sepse mund të ndodh diçka më e keqe. Nga Komuna e Tetovës thonë se familja duhet të bëjë kërkesë deri tek Këshilli i Komunës për të marrë ndihmë.
“Në kohën e tragjedisë, komuna ka ndarë mjete financiare, por për ndihmë tjetër familja duhet që t’i drejtohet Komisionit për fatkeqësi elementare me kërkesë që e njëjta të dalë në terren dhe më pas të jep ndihmë për këtë familje”, thotë Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Përndryshe më 25 janar në orët e para të mëngjesit, zjarri kishte kapluar me shpejtësi katin e dytë të shtëpisë në familjen e Sulejman Zylbeharit, 73-vjeçar, i cili së bashku me gruan e tij ishin në katin e parë. Në katin e dytë ishte nëna Fatimja 39-vjeçare me katër fëmijët e saj 6, 9, 12 dhe 14 vjeçar të cilët gjetën vdekjen.
Apelohet deri tek të gjithë afaristët tetovarë dhe më gjerë që t’i dilet në ndihmë kësaj familje, e cila përjetoi tragjedi të rëndë duke akomoduar përfundimisht këtë familje dhe për të lehtësuar dhimbjen sadopak. Të interesuarit për ndihmë mund të paraqiten në numrin e telefonit 071-841-922. (koha.mk)