Tridhjetë për qind e shkeljeve të orës policore, gjatë kohës sa ishte në fuqi ndalesa për qarkullim në kohë të pandemisë me koronavirusin, kanë ndodhur në Shkup dhe rrethinë. Kësisoj, edhe Gjykata Penal e Shkupit deri më tani ka shqiptuar një numër të madh të aktgjykimeve, të cilat brenda kohës janë kundërshtuar nga të akuzuarit dhe për të njëjtat janë caktuar seanca gjyqësore
Omer XHAFERI
Shkup, 28 maj – Prokuroritë themelore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përgjatë 67 ditëve të kaluara (duke mos llogaritur 26 majin), aq sa zgjati ora policore në vend, kanë dorëzuar 2464 urdhra penal për mos respektimin e orës policore. Një e treta e këtyre gjobave, apo ndryshe thënë 737 urdhra penal janë propozuar nga Prokuroria Themelore e Shkupit. Në kuadër të këtyre gjobave të shqiptuara nga Prokuroritë themelore, përfshihen edhe personat të cilat nuk e kanë respektuara karantinën shtetërore, masën për vetizolim dhe lokalet të cilët kanë punuar në mënyrë ilegale. Megjithatë, për gazetën KOHA, nga Prokuroria Publike njoftojnë se kjo përqindje e gjobave është e vogël dhe se pjesa dërmuese e urdhrave ndëshkuese kanë të bëjnë me mos respektimin e orës policore në kohë të pandemisë me KOVID-19. Lartësia e gjobave, të cilat janë shqiptuar nga prokuroritë përkatëse, fillon nga 800 euro e përpjetë. Mirëpo, nga Prokuroria Publike potencojnë se mesatarja e urdhrave penale të shqiptuar është 2000 euro. Kësisoj, nëse përllogariten të gjitha gjobat e prokurorive të parashtruara në gjykatat e ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i bie se mos respektimi i orës policore qytetarëve ju ka kushtuar gati 5 milionë euro.
Paralelisht me propozimet e prokurorive kanë vepruar edhe gjykatat, të cilët kanë shqiptuar vendime për shkeljen e orës policore. Kështu ka vepruar edhe Gjykata Penale e Shkupit, e cila i ka proceduar numrin më të madh të propozimeve për mos respektim të orës policore. Siç mëson KOHA, ndaj këtyre gjykimeve – qytetarët të cilat nuk janë pajtuar më propozimin e prokurorisë dhe lartësinë e gjobës, kanë parashtruar kundërshtime dhe për ankesat e njëjta, në GJPSH janë caktuar seanca gjyqësore ku pritet të parashtrohet argumentet “për” dhe “kundër” shkeljeve të orës policore.
Pas kryeqytetit i cili llogaritet si vend i parë ku nuk është respektuar ora policore, renditet rajoni i Prilepit, ai i Strumicës dhe Tetovës si qytete ku më tepër nuk është respektuar ora policore. Ndryshe, në bazë të Kodit Penal, masa propozim-urdhër penal shqiptohet nga prokurori përkatës kur bëhet fjalë për vepër penale për të cilën është paraparë gjobë në të holla apo dënim më i butë me burg, i cili mund të zëvendësohet me dënim me kusht. Gjatë miratimit të këtij propozimi, gjykata sipas organizat2ës “Koalicioni për gjykim të drejtë”, nuk cakton seancë kryesore në të cilën prokurori dhe i akuzuari do të parashtrojnë dëshmi në favor të tyre. Gjykata në këto raste shqyrton nëse bëhet fjalë për vepër penale për të cilën mund të shqiptohet urdhër-penal dhe vallë ekzistojnë prova të mjaftueshme që tregojnë se personi në fjalë e ka kryer veprën penale.
Në rast se gjykatësi vlerëson se ky propozim nuk është i bazuar, të njëjtin e refuzon dhe cakton seancë kryesore (gjykim) ku ftohen të dyja palët për të prezantuar dëshmi. Ndërkohë, nëse vlerëson se propozimi ka bazë, atëherë do të miratojë aktgjykimin për shqiptimin e urdhrit penal në të cilën mund të shqiptohet gjobë në të holla, dënim me kusht, ndalesë për drejtim e automjetit, si dhe konfiskim të pronës dhe marrjen e mjeteve. Pas marrjes së aktgjykimit për urdhër penal, i akuzuari ka të drejtë të ankesës në afat prej 8 ditëve. Kjo ankesë nuk duhet të arsyetohet, as të argumentohet me dëshmi.(koha.mk)