Premtime për rekostruimin e sallës ishin dhënë që në vitin 2015, por që atëherë e këndej nuk është bërë asnjë riparim. Përndryshe, edhe vetë objekti i komunës së Tetovës është shumë i vjetër, ndërsa funksionojnë shumë institucione tjera që nuk janë pjesë përbërëse e administratës së komunës
Urim HASIPI
Tetovë, 28 nëntor – Komuna e Tetovës do të shpenzojë një shumë prej 5 milionë denarë për rindërtimin e brendësisë së ndërtesës komunale, shkruan gazeta KOHA. Siç qëndron në dokumentin e zyrës së prokurimit publik, dokument ky që është në dispozicion të publikut edhe në internet, është planifikuar të kryhen intervenime në dyshemenë e vjetër, gjegjësisht të zëvendësohet laminati,të zëvendësimi i dyerve prej druri, ngjyrosja e mureve, ndërrimi i rrjetit elektrik, gjegjësisht ndriçimi i brendshmë i hapësirës, rregullimi i pjesës së lartë, rikonstruksioni i objekteve sanitare si dhe ndërrimi i mobiljeve nëpër zyra.
Siç njoftohet nga Zyra e Prokurimit Publik, në faqen e saj të internetit, Komuna e Tetovës nga 19 nëntori ka hapur thirrje për oferta për rindërtimin e Sallës së Këshillit dhe zyrave komunale. Thirrja do të zgjasë deri më 10 dhjetor, pas së cilës kompania që ka dhënë ofertën më të favorshme, do të fitojë tenderin. Siç thuhet në dokumentin zyrtar, mbajtësi i prokurimit është i detyruar të ekzekutojë kontratën brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së urdhrit të punës. Fondet për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga buxheti komunal për 2018.
Kjo sallë është në gjendje të mjerueshme një kohë të gjatë. Në këtë sallë të paktën një herë në muaj mbahen seanca të Këshillit, kurse në ndërkohë ka edhe shumë aktivitete tjera nga organizata joqeveritare dhe institucione. Po ashtu, seancat e Këshillit të Komunës së Tetovës ende nuk transmetohen në mënyrë të drejtpërdrejt në asnjë kanal televiziv lokal, ndërsa shpeshherë edhe kufjet për përkthim nuk janë në gjendje të rregullt. Karriget dhe tavolinat janë të vjetruara, kurse po ashtu shpeshherë ka probleme edhe me ndriçimin në sallë, kurse problemet janë evidente edhe me ngrohjen.
Krahas kësaj, kjo sallë daton që nga vitet e ish-sistemit komunist dhe nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Premtime për rekostruimin e sallës ishin dhënë që në vitin 2015, por që atëherë e këndej nuk është bërë asnjë riparim. Përndryshe, edhe vetë objekti i komunës së Tetovës është shumë i vjetër, ndërsa funksionojnë shumë institucione tjera që nuk janë pjesë përbërëse e administratës së komunës, por janë njësi rajonale, si ajo e Ministrisë Bujqësisë, Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe Ministrisë së Ekonomisë. (koha.mk)