Bujar KURTAJ
Shkup, 12 dhjetor – Pas përfundimit të sezonit vjeshtor në përjashtim të Shkupit, Vardarit dhe Rabotniçkit, të gjitha skuadrat tjera kanë shkuar në pushim të merituar. Si rezultat i kësaj skuadrat kanë filluar të projektojnë goditjet për sezonin pranveror por edhe bisedimet me ata lojtar që u kanë skaduar kontratat respektive.
Njëra nga këto skuadra është edhe KF Renova, e cila pritet të filloi bisedimet me pesë futbollistë të cilëve u ka skaduar kontrata, ndërsa ata janë Emran Ramadani, Saimir Fetahi, Burim Sadiki, Bashkim Veliu dhe Filip Petkovski. Sipas ndihmëstrajnerit Dashmir Beari, drejtuesit e klubit dëshirojnë që të gjithë këta, të jenë pjesë e Renovës edhe në të ardhmen.
“Pesë futbollistëve si Emran Ramadanit, Saimir Fetahit, Burim Sadikit, Bashkim Veliut dhe Filip Petkovskit u kanë skaduar kontratat, ndërsa drejtuesit e klubit me të gjithë pritet të fillojë bisedimet për të vazhduar bashkëpunimin me ata. Mbetet që të shihet se si do të përfundojnë bisedimet pasi kjo varet edhe nga futbollistët, të cilët sigurisht se i kanë kërkesat e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit”, shprehet për gazetën KOHA, Beari.
Ndryshe, Beari tha se deri më tani askush nuk është larguar nga klubi, ndërsa pranoi se klubi ka nevojë së paku për pesë apo gjashtë përforcime.
“Deri më tani askush nuk ka paralajmëruar se do të largohet nga klubi në përjashtim të atyre që përmendem se u kanë skaduar kontratat. Kemi nevojë së paku për pesë apo gjashtë futbollist të ri. Deri më tani asgjë nuk ka zyrtare, gjithçka pritet të ndodh gjatë ditëve në vijim”, nënvizoi më tej ndihmstrajneri i bardhebluve.
Beari gjithashtu foli edhe për sezonin vjeshtor, ndërsa pranon se nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura, derisa ndikim kanë pasur edhe referat.
“Pozita e tetë nuk mund të jetë rezultat i mirë, por mos të harrojmë se në katër apo pesë ndeshje kemi qenë të dëmtuar nga referat. Nuk e di pse kjo po i bëhet Renovës, por në rezultatin e përgjithshëm kanë ndikim të madh edhe ata. Në të kundërtën nuk do të ishim aty ku jemi tani, pozitën e tetë në tabelën e klasifikimit. Shpresojmë se në sezonin pranveror kjo dukuri e keqe do të ndryshojë dhe do të kemi referim real”, thotë ndihmësi i Kostovit, i cili në fund shpalosi synimin kryesor të Renovës, pos mbijetesës.
“Në pranverë ne do të tentojmë të ngjitemi në kreun e tabelës, ndërsa synimi jonë mbetet edhe Kupa e Maqedonisë ku jemi në gjysmëfinale. Vetëm nëpërmjet këtij kompeticioni ne mund të dalim në Evropë, andaj do të tentojmë që ta fitojmë dhe të realizojmë objektivin”, përfundoi Dashmir Beari, ndihmëstrajneri i KF Renova.