Laura PAPRANIKU
Shkup, 1 nëntor – Organizmi i transportit publik, falas për nxënësit, të cilët jetojnë më larg se 2.5 kilometra nga shkolla në të cilën duhet të mësojnë – po kthehet në disfavor për shumë nxënës të cilët edhe pse nuk e tejkalojnë këtë distancë, llogaritet se jetojnë jo afër shkollës, shkruan gazeta KOHA. Problematike është mos sigurimi i transportit falas në shkollimin nëntëvjeçar, sidomos për filloristët e dy cikleve të para të arsimit nëntëvjeçar. Fëmijë nga mosha pesë vjet e gjysmë deri në 10 vjet, në zona të caktuara duhet të ecin në këmbë nga dy e më tepër kilometra për të vajtur në shkollë dhe po kaq për tu kthyer në shtëpi. Sipas prindërve, por edhe mësimdhënësve, fëmijët e kësaj grup-moshe e kanë të vështirë të përballojnë çdo ditë ecje nga pesë kilometra rrugë për vajtje-ardhje në shkollë. Prandaj, kërkojnë korrigjimin e distancave ligjore për organizimin e transportit falas në arsimin fillor ose heqjen e komplet kufizimeve.
Nga kjo panoramë jo edhe e këndshme, nuk bën përjashtim as kryeqyteti. Në lagje të ndryshme të Shkupit, si Vizbegu, Nerezi apo Lloka, ose edhe në fshatra si Mojanca, sheh çdo ditë grupe nxënësish që shkojnë në këmbë në shkollë pavarësisht kushteve atmosferike. Të njëjtin problem e ka edhe Tetova dhe komunat tjera rurale të saj. Gjithë kjo sepse komunat ku ata jetojnë, nuk marrin përsipër të organizojnë transport falas për këtë nxënës, ashtu si edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në bllok-dotacionet që Ministria e Arsimit u ndan komunave, në grafën e llogaritjes së shpenzimeve për transportin falas hyn vetëm numri i nxënësve vendbanimi i të cilëve gjendet 2.5 kilometra larg shkollës. Në bazë të këtyre shpenzimeve, komunat përgatisin programin për ofertat drejtuar kompanive të licencuara për transport publik, konkretisht për aq sa shkon vlera e shpenzimeve të mbuluara nga MASH-i përmes bllok-dotacioneve, të cilat përgatiten mbi bazën e të dhënave historike të shkollave, gjegjësisht komunave. Jasin Reka, arsimtar në shkollën fillore “7 Marsi” në Tetovë, thotë se distanca për transportin falas të nxënësve është problem në gjithë vendin. “MASH duhet të ndërmarrë diçka në favor të kësaj kategorie nxënësish të cilët nuk janë pak. Në nivel shteti mund të jenë mbase mijëra nxënës të cilët vërtet që nuk e kanë shkollën më larg se dy kilometra e gjysmë, por përsëri e kanë larg edhe nëse ajo distancë është dy deri dy kilometra e gjysmë”, shprehet për KOHA, Reka. Sidomos, për nxënësit e cikleve të ulta të arsimit nëntëvjeçar, mosha e të cilëve shkon deri në 10 vjet, është e tepërt po sikur të ecin nga dy kilometra deri në shkollë dhe po aq nga shkolla në shtëpi, plotëson më tej ai.
Sipas Rekës, i cili është anëtarë i Grupit punues për ndryshime në arsimin fillor, zgjidhjet për problemin e transportimit të nxënësve mund të jenë të ndryshme. Por, ka shumë gjasa që në kërkesën e atij grupi të propozohet shkurtimi distancës deri në një kilometër e gjysmë, ose të hiqen fare kufizimet. Kjo, pritet të dihet saktësisht pas tre-katër javësh kur edhe do të jetë takimi i radhës. Në këtë takim, Grupi i punës do të mbajë qëndrimet definitive, si dhe variantet përfundimtare të ndryshimeve që do të propozohen nga ana e tyre jo vetëm për çështjen e transportit, por për të gjitha çështjet e kontestuara. Intenca e MASH-it është të ofrojë zgjidhjet për të gjitha problemet e evidentuara në arsim dhe njëkohësisht të vjen deri tek zgjidhjet më të mira të cilat do të burojnë nga palët e involvuara në arsim. (koha.mk)