Balanca e përkryer mes talenteve ia fitoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kupën e Botës. Megan Rapinoe deklaroi se ky ishte Botërori më i mirë për të, derisa Julie Ertz u kaplua nga emocionet gjatë këtij rrugëtimi.
Pas ndeshjes dhe pas festimeve, Julie Ertz ishte e pushtuar nga emocionet. Ajo ra në gjunj, duke e kuptuar atë që ajo dhe bashkëlojtaret e saj e kishin arritur dhe gjithçka në të cilën kishin kaluar deri në atë pikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fituese dy herë radhazi të Kupës së Botës për Femra, një arritje e jashtëzakonshme që pakkush mund ta arrijë, transmeton zeri.info
Por, kjo skuadër nuk ishte e njëjta si në 2015-n. Në fakt, vetëm 12 lojtare në ekipin momental ishin në skuadrën e vitit 2015.
ShBA-të fituan 2:0 ndaj Holandës të dielën pas një betejë të fortë në fushë mes dy skuadrave. Amerikanët eventualisht ia dolën të kryesojnë, falë penalltisë së kapitenes Mergan Rapinoe në minutën e 61-të. 34-vjeçarja Rapinoe bëhet golashënuesja më e vjetër në historinë e finaleve të Kupës së Botës për Femra.
Rose Lavelle, mesfushorja dinamike 24-vjeçare e ShBA-ve, e bëri një solo aksion fantastik në minutën e 69-të për t’ia dhënë skuadrës së saj epërsinë e sigurt. Kontributet në tabelën e golashënuesve nga një yll në rritje e sipër e ShBA-ve e përmbledh më së miri dinamikën e kësaj skuadre të përkryer.
Rapinoe tha se fitorja në këtë Kupë të Botës ishte ndryshe dhe më e mirë për të si lojtare seniore dhe kapitene. “Qershia mbi tortë ishte e vogla Rose (Lavelle) që shënoi sot (e diel). Ka qenë një turne fantastik për të”, deklaroi Rapinoe. “Por, gjithçka, si (Ali Krieger) që erdhi dhe luajti në finale të Kupës së Botës pasi nuk kishte qenë në skuadër për dy vjet. Festa e Christen pressit, goli i Roset, pritja e penalltisë së Alyssa (Naeherit). Është e jashtëzakonshme. Unë nuk kam fjalë”, shtoi ndër të tjera ajo.
Që prej ditës së parë ShBA-të kanë folur për dinamikën e këtij grupi dhe se sa e shkëlqyeshme ishte që e kanë bërë përzierjen e lojtareve veterane me ato të reja. Aty ka përvojë dhe aty ka një ndjesi freskie që e sjellin lojtaret e reja, e gjithë kjo duke e mbajtur atë që quhet “kultura e përfaqësueses së femrave të ShBA-ve” që ka kaluar gjeneratë pas gjenerate.
Kjo kulturë është një mentalitet fituesi që mësohet nga momenti i parë që hyni në kampet për të rinj. Është guximtare dhe garuese dhe ka të bëjë me shtyrjen e njëra-tjetrës për të qenë më e mira. Në momentin e parë që kjo skuadër shkeli në Francë, ato ishin të gjitha në punë. Ato ishin të vendosura për të vendosur yllin e katër në gjoks, përndryshe turneu nuk do të kishte sukses.
Në mes dy Kupave të Botës jo gjithçka kishte shkuar mirë për këtë skuadër. Në vitin 2016, ekipi ishte eliminuar nga Olimpiada e Rios në fazën çerekfinale nga Suedia dhe kjo ishte një thirrje për të bërë ndryshime. Trajnerja Jill Ellis filloi që ta ristrukturojë taktikisht skuadrën dhe ekipi duhej ta gjente përsëri vetveten. Tri vjet më vonë, ato ia kanë dalë. Ertz qëndronte e ulur në gjunjë në mes të stadiumit në Lyon dhe thjesht po shijonte gjithçka.