Sarajevë, 21 nëntor – Në ditën e sotme para 23 viteve në bazën amerikane Rajt Peterson në Dejton është parafuar Marrëveshja korrnizë e përgjithshme për paqe në BeH, me çka kishte përfunduar lufta në Bosnja e Hercegovinë.
Marrëveshjen e Dejtonit, pas negociatave trijavëshe, e firmosën presidentët e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq i BeH-së Alija Izetbrgoviq dhe i Kroacisë Franjo Tugjman.
Marrëveshja ishte parafuar në prani të sekretarit të atëhershëm shtetëror të SHBA-së Voren Kristofer, ndërsa përveç tij ndërmjetësues kryesor amerikan ishin Riçard Holbruk dhe gjenerali Vesli Klark.
Marrëveshja e Dejtonit zyrtarisht ishte nënshkruar më 14 dhjetor të vitit 1995 në Pallatin e Eliseut në Paris, ndërsa Dita e lidhjes së marrëveshjes korrnizë të përgjithshme për paqe në BeH – 21 nëntor është festë dhe ditë jopune në Republikën Srpska.
Të gjithë tre nënshkruesit e marrëveshjes kanë vdekur, dokumenti origjinal është humbur, ndërsa politikanët në BeH ende debatojnë për revizionin e tij. Vdiq edhe ish i dërguari ndërkombëtar për Ballkan dhe autor i Marrëveshjes së Dejtonit, diplomati amerikan Riçard Holbruk.
Me marrëveshjen e cila ishte parafuar në bazën ushtarake Rajt Peterson në qytetin amerikan Dejton, pas tre javëve negociata mes udhëheqësve të BeH-së, Kroacisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, me ndërmjetësim të SHBA-së, BeH-ja ishte ndarë në dy entitete – Federata e BeH-së dhe Republika Srpska.
Njëra nga parimet kryesore në të cilat është themeluar marrëveshja e Dejtonit është ndarja e BeH-së nga 51 për qind për territorin e Federatës së BeH-së dhe 49 për qind për Republikën Srpska dhe Distriktin Bërçko.
Nënshkruesit u obliguan se marrëdhëniet e ndërsjella do t’i rregullojnë sipas Kartës së KB-së, Aktin përfundues të Helsinkut dhe dokumente tjera të OSBE-së me respektim të ndërsjellë të sovranitetit dhe zgjidhjen e kontesteve jashtëzakonisht në mënyrë paqedashëse.
Parlamenti i RF të Jugosllavisë më 13 nëntor të vitit 2002 e ratifikoi Marrëveshjen e Dejtonit me çka RFJ qartë u porositi fqinjve se nuk ka pretendime territoriale ndaj BeH-së dhe se në tërësi do t’i respektojë dispozitat e Dejtonit.
Pesë vitet e para pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Dejton çdo nëntor me tubime ndërkombëtare është shënuar përvjetori i përfundimit të luftës në BeH.
Për herë të fundit përfaqësuesit e shteteve nënshkruese dhe ndërmjetësues ndërkombëtar u mblodhën në bazën Rajt Peterson në nëntor të vitit 2000, por në shënimin e jubileut atëherë nuk ka marrë pjesë asnjë nënshkrues.
Ish i dërguari ndërkombëtar për Ballkan, Riçard Hollbruk, i cili konsiderohet si arkitekt kryesor i marrëveshjes, në Sarajevë në tetor të vitit 2005 tha se Marrëveshja e Dejtonit e ka ndalur luftën në BeH, por që në të ekzistojnë edhe disa gabime të cilat janë krijuar kryeisht për shkak të moszbatimit të tij.
Holbrukut për dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes në Dejton i ishte dorëzuar Çmimi i Dejtonit për Paqe në shenjë mirënjohje për arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit.