Fatos RUSHITI
Shkup, 13 nëntor – Me mbarimin e zgjedhjeve lokale dhe me fitoren absolute të partive të partive në pushtet – LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, Qeveria do ti kthehet kursit të reformave në shumë drejtime si dhe do të nisë me hapat e parë drejt zgjidhje së çështjes së emrit me Greqinë, por dhe mbylljen e çështjeve të hapura me të gjithë fqinjët, shkruan gazeta KOHA. Krejt kjo për të ecur sigurt në rrugën e hyrjes sa më të shpejtë në NATO dhe afrimit të vendit me Bashkimin Evropian. Por që të ndodhin këto, shumica parlamentare vazhdon të jetë e brishtë ndonëse Lëvizja BESA më herët, së fundmi edhe PDSH i kanë dhënë përkrahje Qeverisë për të bërë reformat e nevojshme. Sytë e opinionit tashmë janë drejt VMRO-së, konkretisht tek pozicioni i saj karshi të gjitha prioriteteve që ka shumica parlamentare, sidomos me zgjidhje e kontestit me emrin, hap ky që Maqedonia të fillojë negociata për hyrje në BE deri në vitin 2023, vit kur është planifikuar që vendet e Ballkanit Perëndimor përveç Kosovë të futen në pako në BE. Në prononcimin e fundit, presidenti i Komisionit Evropian, Zhan- Klod Junker përmendi vetëm Malin e ZI dhe Serbinë si vende që do të jenë të gatshme të anëtarësohen në BE në vitin 2023, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja nuk kanë bërë reformat e nevojshme që të ndjekin kursin e integrimit siç bënë Serbia dhe Mali i Zi, i cili është edhe anëtari më ri i NATO-s. Siç po shkojnë rrjedhat e zhvillimeve politike, dy do të jenë rrugët që do të ndiqen më tutje – ose të fillojë dialogu i mirëfilltë në vend me opozitën, konkretisht me VMRO-në me 50 deputetë, ose nëse kjo e fundit nuk do të bashkëpunojë – vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të arrihet shumicë e konsoliduar parlamentare prej 2/3 të numrave në Parlament. Indikacionet janë të qarta se VMRO mund të pësojë një humbje katastrofale siç pësoi në zgjedhjet parlamentare, andaj që të shmangen zgjedhjet – VMRO po tentohet që më çdo kusht të kyçet në dialog me pushtetin për zgjidhjen e përbashkët të të gjitha temave të hapura në vend. Në këtë frymë, Bashkim Evropian lajmëroi në organizmin e një tryezë të përbashkët mes të gjitha partive parlamentare në shtëpinë e Zhan Monesë në Paris, ish-ministër francez i Punëve të Jashtme dhe ideatori kryesor i themelimit të Bashkimit Evropian. Ditë më parë, raportuesi për Maqedoni në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgël, qëndroi në Shkup dhe pati takim me të gjitha grupet parlamentare duke paralajmëruar njëkohësisht se deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, përfaqësuesit e partive politike parlamentare të Maqedonisë, ekspertë nga Bashkimi Evropian, në prani të eurokomisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, si dhe përfaqësuesve të Parlamentit dhe Qeverisë franceze, do ta fillojnë procesin e dialogut të ndërsjellë mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni të titulluar “Dialogu Zhan Mone”, me qëllim të shtytjes së proceseve që kanë të bëjnë me integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Por nga VMRO menjëherë janë shprehur kritik se ky dialog nuk duhet të zhvillohet jashtë Maqedonisë, por të nisë në institucionet shtetërore. Zëdhënësi i VMRO-së, Ivo Kotevski, tha për gazetën KOHA se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet në institucionet e vendit, duke e parë të panevojshme të zhvillohet jashtë Maqedonisë. Siç tha Kotevski, për VMRO-në është e papranueshme një Përzhino e dytë apo diçka tjetër jashtë Maqedonisë, duke shtuar se VMRO nuk ka ndonjë informatë të saktë se çfarë do të ndodh në Paris. “VMRO mendon se për çështje të rëndësishme në çdo vend, dialogu mes partive të zhvillohet brenda institucioneve shtetërore dhe për momentin nuk e sheh të nevojshme dhe nuk njeh temë tjetër për asnjë lloj tjetër të takimeve. VMRO nuk ka asgjë kundër dialogut, por përsëritje të Përzhinos ose ndonjë teme jashtë Maqedonisë, është e panevojshme dhe e papranueshme. Ne jemi në bisedime me shumicën parlamentare, por preferojmë që ai dialog të jetë brenda institucioneve shtetërore. VMRO ende nuk informacion të saktë për temat që do të diskutohen në Paris dhe në këtë moment – nuk mundemi apriori të prejudikojmë”, theksoi Kotevski. Qëndrime të kundërta me VMRO ka partia tjetër opozitare Lëvizja BESA, deputetë të së cilës konfirmojnë për gazetën KOHA se do të marrin pjesë në Paris, kjo siç thanë ata – për të dhënë kontributin e tyre politik për arritjen synimeve kryesore të Maqedonisë – anëtarësimi në NATO dhe BE. Përveç BESËS, pro pjesëmarrjes në Paris u deklaruan edhe nga Grupi Parlamentar i BDI-së dhe deputetë nga RDK dhe ASH. “Ne patën takim me eurodeputetin Vajgëll, të cilit i shprehëm qëndrimin tonë se do të mbështesim këtë nismë të BE-së”, tha shkurt Ejup Alimi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Nga ana tjetër – takimi në Paris mes të gjitha partive politike parlamentare është vlerësuar pozitiv nga ekspertë të BE-së në drejtim të asaj se vendi ka nevojë për konsensus të brendshëm politik për të zgjidhur çështje të mëdha politike. Profesori universitar, Bashkim Selmani, mendon se partitë politike kanë nevojë të ndërtojnë një strategji politike për sfidat e ardhës që e tangojë shtetin. Kjo duhet të ndodh pasi, siç thekson Selmani, partitë politike në qeverisje deri më tani nuk kanë treguar rezultatet e pritura në sferën e integrimeve euroatlantike. “Çështjet mes partive politike parlamentare dhe situatës bashkëkohore, në raportet e tyre komunikuese për sfidat e radhës, kanë nevojë për një dialog dhe strategji më të përafërt në arritjet e synimeve të përbashkët. E them këtë pasi është konstatuar se sukseset e partive në realizimin e programeve të tyre nuk kanë në nivelin e duhur rezultate që priteshin, andaj kjo gjendje kërkon një strategji më precize në çështjet nacionale dhe ato ndërkombëtare nga dialogu që do të nisë në janar ne Paris, në shtëpinë e Zhan Monesë, pikërisht është një synim i unifikimit të qëndrimeve strategjike në sfidat dhe rreziqet bashkëkohore që në përgjithësi janë të karakterit të përbashkët çështjet që i tangojnë çdo partie dhe shteti përkatës në nivel ndërkombëtar”, theksoi për KOHA, Selmani. Ndryshe eurodeputeti Ivo Vajgëll pas takimit me përfaqësuesit e partive politike në Shkup nuk e përjashtoi mundësinë që takime të tilla, përveç në Paris, të zhvillohen edhe në qendrat tjera evropiane, por edhe në Shkup. Raportuesi Vajgëll, në deklaratën e tij për media, pohoi se kjo iniciativë nuk paraqet as vazhdim dhe as zëvendësim të Marrëveshjes së Përzhinos, por paraqet dialog i cili do ta rriste mirëkuptim dhe do të kontribuonte për funksionimin konstruktiv të Parlamentit të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.