Përurohet segmenti i dytë i autostradës “Arbër Xhaferi”, që do të lidhë Prishtinën me Shkupin, me gjatësi prej 55 kilometrash. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e quajti ndërtimin e kësaj autostrade projekt të Kosovës së re dhe Evropiane dhe ëndërr të gjithë qytetarëve që po bëhet realitet. “Është projekt i Kosovës moderne, i Kosovës evropiane. Është projekt i ëndrrave që kemi pasur, që po shndërrohen në realitet, prandaj urime të gjithëve, urime Kosovë”, ka thënë Thaçi. Ai ka theksuar se kjo autostradë si urë lidhëse i shërben edhe vizionit evropian për Kosovën dhe rajonin.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pohuar që vitin e ardhshëm do të përmbyllen tërë punimet në këtë autostradë. Shiritin inagurues e ka prerë xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi. Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit ka filluar në korrik të vitit 2014 dhe pritet që të jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit 2018. Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë, kap shumën e rreth 600 milionë euro dhe po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Ajo do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2,2 kilometra.