Shkup, 21 nëntor – Populli shqiptar dhe ai maqedonas i janë shumë mirënjohës presidentit amerikan Vudrou Uillson, në ruajtjen dhe moscenimin e interesave etnike e territoriale të popujve të Ballkanit, tha kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në Akademinë solemne me rastin e inaugurimit të bustit të presidentit Uillson, në oborrin e Komunës së Çairit.
Ganiu, para të pranishmëve, mes të cilëve ishte edhe një delegacion nga vendlindja e presidentit Uillson, nga Qyteti Staunton i SHBA-së, tha se presidenti në fjalë ishte një diplomat dhe intelektual i kalibrit të lartë që urtësinë para arrogancës dhe pragmatizmin para arbitraritetit i kishte përdorur në të gjitha vendimmarrjet e rëndësishme politike.
“Komuna jonë do të vazhdojë të kultivojë traditën e bashkëpunimit dhe miqësisë me qytetin Staunton të shtetit Virxhinia, në SHBA, duke e ngritur edhe në shkallë institucionale këtë bashkëpunim përmes formave e projekteve të ndryshme. Me iniciativë të Ali Ahmetit, figura e Presidentit Uillson, tash e tutje do të qëndrojë para Komunës sonë dhe ai do të jetë frymëzim i mirë për të gjithë ne, që edhe njëkohësisht flet zëshëm edhe për përcaktimet si qytetarë, komunë dhe si vend”, tha Ganiu.
Kryetarja e Qytetit Staunton, Karolli Daull, para të pranishmëve në këtë Akademi ku mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, dhe shumë përfaqësues të lartë politikë e diplomatikë, tha se është e nderuar me prezencën e saj në Komunën e Çairit , për shkëmbimin e ideve, kulturave mes qyteteve tona, në kohë kur shumica e botës është e ndarë në konflikte.
“Lidhja jonë ishte sjellë në frymën e paqes nga presidenti Vudrou Uillson, para një shekulli. Me rëndësi është që ne të reflektojmë për historinë tonë dhe të përpiqemi në përpjekjet e shtetit të cilët bota i gëzon falë presidentit Uillson. Gjithashtu jam e nderuar që gjendem ne vendin e lindjes së Nënës Terezë, një ndër krijuesit më frymëzues të paqes. Edhe pse qytetet tona janë me kilometra larg unë ju konsideroj si fqinj të mirë”, tha Daull.
Ndryshe, presidenti amerikan Vudrou Uillson, në botë njihet si mbrojtës i popujve të vegjël, gjegjësisht si mbështetës i popujve për liri dhe vetëvendosje. oxh/shk/