Sistemi shëndetësor publik ka rrezik të mbetet pa personel mjekësorë mu në kohën e krizës shëndetësore, e shkaktuar nga virusi korona. Kjo gjendje sidomos po reflektohet në punën e infermierëve, të cilët gjatë kohës sa po zgjatë kjo krizë, janë të ekspozuar kushteve tejet të rënda të punës, me orar të stërgjatur dhe me vëllim të stërngarkuar të punëve
Zenel MIFTARI
Shkup, 17 tetor – Hapja e klinikave e spitaleve private në numër të shumtë viteve të fundit, është duke rrezikuar sistemin shëndetësor publik, ku shumë mjekë dhe infermier po largohen nga sektori publik dhe po shkojnë në atë privat. Këtë fakt e bëjnë të ditur edhe dorëheqjet e njëpasnjëshme para rreth dy jave të infermiereve nga spitalet shtetërore dhe shkuarja e tyre në spitale private, ngriti alarmin për kushtet e këqija të infermiereve në spitalet shtetërore. Përveç infermiereve që kanë dhënë dorëheqje nga vendi i tyre i punës, ka edhe prej mjekeve infektolog që planifikojnë që të punojnë në spitalet private të vendit.
Këto dhe raste të tjera kanë ngritur shqetësim të arsyeshëm në opinionin publik bashkë me frikën se sistemi shëndetësor publik ka rrezik të mbetet pa personel mjekësorë mu në kohën e krizës shëndetësore, e shkaktuar nga virusi korona. Kjo gjendje sidomos po reflektohet në punën e infermiereve, të cilët gjatë kohës sa po zgjatë kjo krizë, janë të ekspozuar kushteve tejet të rënda të punës, me orar të stërgjatur dhe me vëllim të stërngarkuar të punëve.Ato punojnë 24 orë kujdestari dhe u paguhet vetëm me 500 denarë shtesë, ndërkohë që e gjithë barra e trajtimit dhe përkujdesit për pacientët bie mbi ta.
Këtë gjendje e ka detektuar edhe Shoqata e infermiereve, e cila ka vënë në dukje se kolegët e tyre në asnjë mënyrë nuk po mund të arrijnë ta rregullojnë profesionin e tyre përmes ligjit dhe të arrijnë atë çka dëshirojnë , pa u detyruar të margjinalizohen në spitale dhe reparte të ndryshme. Gordana Beshliovska, kryetare Unionit të infermiereve të Maqedonisë, për gazetën KOHA, ka thënë se ata kanë çdo ditë informata nga infermieret për pakënaqësinë e tyre në vendet e punës.
“Gati se në çdo spital dhe në çdo qytet ka pakënaqësi nga infermieret për kushtet e tyre në vendet e punës dhe për këtë arsyeje ka dhe largim të shumtë të infermiereve nga sektori publik në atë privat por edhe nga ata që largohen jashtë shtetit. Deficit të infermiereve ka gati në çdo vend si në rajon ashtu edhe në Europë. Për të mos ardhur në një situatë ku do të mbesim tërësisht pa asnjë infermiere ne apelojmë që të përmirësohen kushtet e punës të infermiereve”, shprehet Beshilovska, për gazetën KOHA. Sipas saj, pasi që kemi situatë të jashtëzakonshme shëndetësore duhet të ketë edhe masa të jashtëzakonshme për kushtet e punës.
Ajo tha që përmes këtyre masave duhet të rriten rrogat e infermiereve, bonusi që marrin infermieret në klinikat infektive në situatë normale të dyfishohet, infermieret që janë të angazhuar në këtë gjendje krize vetëm me kontratë në vepër, tu jepet vendimi i punës menjëherë. “Gjithashtu e rëndësishme është që profesioni i infermiereve të rregullohet profesionalisht dhe të ndjehet rëndësia e tyre profesionale në klinika dhe spitale. Këto janë dhe arsyet tjera që infermieret ikin nga vendi dhe jo vetëm rroga mujore”, nënvizon ajo. Sipas statistikave të tyre, mbi 100 infermiere kanë lëshuar vendin vetëm gjatë vitit 2020 edhe atë gjatë krizës me virusin korona dhe mbylljes së kufijve. Statistikat tregojnë se aktualisht në sistemin shëndetësor janë të punësuar rreth 7,500 infermiere, ndërkohë që ato bëjnë punë të dyfishtë në kohën e krizës shëndetësore me COVID-19, por që marrin pagë më të ulët se i gjithë rajoni. Për dy milion banorë, aq sa ka Maqedonia e Veriut, sipas regjistrimit të fundit nevojiten të afër 15 mijë infermierë, sipas rekomandimeve të OBSH-së. (koha.mk)