Personazhi e kishte ndjekur gjithë jetën, gjersa një ditë Autori nuk e futi në veprën e tij… Pastaj ndodhi kthesa, pakënaqësia dhe revolta e Personazhit që ishte paraqitur në dritën e tij të vërtetë…
Nga Daut DAUTI
- Ai ishte personazhi që u fut në tregim pa e thërritur. U rras si mik i paftuar.
Kush je ti?, e pyeta.
Nuk më njeh, unë jam personazhi pa të cilin ti nuk mund të bësh vepra. E shikoja fytyrën e tij burrërore, do sy si murelë (m’u kujtua kjo shprehje e xhaxhai tim, ndjesë pastë, që e përdorte për njerëz me sjellje të dyshimtë), një kokë më i lartë se Autori. Tamam burrë, e tej burrit.
Të thirra gjë unë, jemi takuar më parë?, i them. Si s’jemi takuar, unë jam Personazhi që jam sjellë vërdallë në shkrimet e tua, po ti s’më ke vërejte, më saktë, s’ma ke varë fort, si një naiv që nuk e kupton jetën, ose më saktë, si një i përhumbur në kohë e hapësirë që nuk di se si funksionon bota që kur është kurdisur… Obobo, më thuaj të mësoj diç, nuk jam as çilimi që të mos e kuptoj, po mbase jo dhe alamet burri si ti, më duhen vite e vite moshe për këtë…Po Personazh, hë, ti duhet të kesh diç që të bën personazh…Unë madje do të thosha je i mirëseardhur në çdo vepër nëse bëmat tua ngritin pështjellimin e veprës, rritin vlerën dhe fundja, lexueshmërinë, pavarësisht vlerave.
Unë jam personazh shkuar personazheve, edhe po të duash dhe po të mundohesh, s’gjen dot fjalë për të skalitur e latuar një të tjetër si unë, unë jam prototipi ideologjik i kohës dhe hapësirës, vetëm më merr e më fut në faqe libri dhe drama ndodh vetvetiu.
Unë të njoh, të kam njohur, por jo si Personazh. Me tjetër trajtë. T’i njoh fjalët e bukura dhe fjalët e mëdha, dikur dhe tash dhe më duhet të të them e kam kokën lëmsh kur më thua se ti je Personazhi, por s’qahem, kam shpesh mungesë frymëzimi, nuk gjej dot as situata të mjaftueshme frymëzuese, as personazhe që të joshin lexuesit. Mirë se vjen, dyert i ke hapur…
Po, por ti më ke hyrë në hak, ti më ke bërë diversion! Ke futur në veprën tënde portretin tim si s’duhet…
Thua kam trilluar gjë? Të paqenë? Të kam hyrë në hak se të kam paraqitur si nuk je…? Ah, more i poshtër! Po, po, i poshtër je, sepse ke luajtur me dinjitetin tim, me ndjenjat e mia të hajthshme, më ke lënduar sedër e shpirt, sepse unë jam ky që jam, ndaj po të akuzoj se më ke paraqitur pikërisht Personazh çfarë jam. (Më bën përshtypje hajthmëria e tij për një goxha-burrë si ai!?)
Mbetem pa fjalë, Personazhi ndjek Autorin! Nuk e ndjek ta falënderojë që e ka bërë të pavdekshëm, por ta akuzojë që e ka paraqitur ashtu siç është!
E çfarë ke dashur ti? Personazhi duhet të skalitet, e jo të merret siç është? Çfarë shkrimtari je ti që nuk di të bësh një personazh origjinal, ndryshe nga origjinali që e ka falë Zoti! Krijuesi duhet të krijojë personazhe të paqena, ose nga të qenit të bëjë të tjerë, e tij, e jo “kap e kllop” në tregim, ashtu siç jam! Nëse më ke marrë, më merrje e më zbukuroje ca, që vetë të dashurohesha në vetveten time, ti më ke bërë për të urryer veten, e unë gjithë jetën e kam urryer për bëmat e mia sekrete, se ato publiket gjithkush i di dhe më kanë rënë krahëve. Çfarë shkrimtari je ti që personazhet duhet t’i krijosh, e jo t’i marrësh sikur i ka falë Zoti dhe ti ke hyrë në gjynah shumëfish…
Dhe tash?
Tash do të të ndjek vazhdimisht, nuk do të të lë rehat, as kur të ulesh pranë kompjuterit tënd s’të lë të shkruash ç’të duash, as kur të flesh nuk do të bësh gjumë, qofsha i gjallë ose i vdekur, unë do të jem Personazhi yt që të ndjek për bëmat tua ndaj meje… E kisha kërkuar Personazhin që do ta fusja në tregim, ose madje në roman ose ndonjë dramë, e kisha gjetur më në fund, por e humba rehatinë, sepse jam i ndjekuri i tij, Personazhi ndjek Autorin, syçelë e symshelë, nuk e le të prehet…
Një uratë e ndërsjellë ekzistence, kur njëri s’bën pa tjetrin.
P.S. Çdo ngjashmëri me fytyra që i kemi njohur ose i njohim është pjellë e imagjinatës…Edhe ngjashmëria me romanin e Pirandellos ose Ramiz Kelmendit, mund të jetë një ngjashmëri që flet se bota është ciklike, se gjërat që janë thënë njëherë e dikur, situatat që janë krijuar dikur si realitet ose sajesë imagjinare, dinë të përsëriten…ose kanë ngjashmëri në çdo kohë…
- Si të marrë dikush në një anë, s’di të ndalet! Kështu thonë për dikë që e ka marrë tërkuzën nëpër këmbë! Po nuk është se vetëm njeriu mund ta marrë tërkuzën nëpër këmbë. Ndonjëherë edhe fenomenet apo proceset “marrin në një anë” dhe s’di t’i nxjerrësh në rrugë të mbarë. Si psh. dialogu midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Ndoshta gjithçka nisi nga një ambicie e një politikani bullgar për të qenë në qendër të vëmendjes, prej së cilës duhej të përfitonte, por pastaj u kyçën në valle dhe të tjerë. Ata luaj valle në Sofje, e këndej në Shkup s’mund të bënin sehir, u kapën në vallen e huaj, në vend se t’ia lënë Karakaçanovit “jadecin”…
Tash të gjithë në valle, dhe të gjithë ngrehin në një anë! Në anën e më të fortit. Maqedonia u desh ta lë vetëm të luante Karakaçanovin. Po të donin bashkë me të, edhe Borisovi gojëmbël e Simeon Radevi bashkë me gjithë të tjerët. Dhe Evropën të merrej me ta, pa Maqedoninë. Vërtet Maqedonisë i duhet Evropa, por dhe Evropa e Amerika kanë nevojë për një katror mozaiku të interesave të veta në Ballkan që quhet Maqedoni e Veriut. S’mund ta lënë në mëshirën e huqeve të ndokujt.
Të ballafaquar me realitetin, zyrtarët tanë që trasojnë rrugën për EU, Bujar Osmani e Nikolla Dimitrov sytë tash i hedhin nga Lubjana, me shpresë se kryesimi slloven do t’i japë dinamikë të re procesit. Por, gabohen shumë. A mund sllovenët të bindin Bullgarinë të heqë veton? A mund sllovenët të heqin mekanizmin e vetos? Përgjigja dihet… Ndaj them se Maqedonia duhet të shpallë moratorium të bisedimeve me Bullgarinë. Sepse nuk ka asnjë marrëveshje që e obligon ose e kushtëzon në rrugën për BE… Këtu nuk është çështja nëse Bullgaria ka argumente historike në pretendimet e veta të kontestimit, çështja është se Bullgaria nuk ka argumente politike për ta kushtëzuar fqinjin që me gojën plot e quan vend a fqinj mik, ndaj tij sillet si mos më keq. Argumentet politike janë në anën e Maqedonisë, dhe për argumente politike mund dhe duhet të diskutojë Brukseli, e jo për argumentet historike, të cilat me asnjë dokument e me asnjë marrëveshje nuk i janë vënë si kusht Maqedonisë. Le t’i bëhet një ekspertizë ndërkombëtare asaj marrëveshjes së miqësisë, e jo BE-ja të mbajë anën e Bullgarisë në shenjë solidariteti, ose si dobësi për shkak se nuk mund ta bindë.
Por, sido që të jetë, Maqedonia mund dhe të dalë nga kjo valle e pa krye! I humbtë se i humbtë…më shumë s’mund të humbë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)