Donacionin e pranoi drejtori i Qendrës për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, i cili tha se me këtë automjet special për personat e kësaj kategorie tejkalohen problemet e shumta me transportin e tyre
Vjollca SADIKU
Dibër, 5 gusht – Qendra ditore për personat me aftësi të kufizuar në Dibër ditën e martë pranoi donacionin nga Fondacionit “Populli i gëzuar”, një furgon adekuat për këtë kategori personash. Duke dhuruar automjetin në fjalë, i cili është i markës Mercedes dhe mundëson transportin e katër personave në karrocë dhe 7 personave të tjerë, lideri i Fondacionit, Atdhe Trepça, dibran i cili jeton në SHBA, theksoi se ky projekt u realizua në bashkëpunim dhe përkrahje të Shoqatës atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork, organizatës Treyton Warland nga Amerika, kompanIsë Action over Words si dhe mërgimtarëve Faton Dobrova dhe Vebi Çanka.
Duke prezantuar aktivitetin e Fonadacionit në fjalë, Trepça theksoi se qëllimi i tij është të ndihmojë Dibrën dhe dibranët. Pas këtij projekti që ka një domethënie të madhe për Qendrën ditore për personat me aftësi të kufizuara, janë paraparë edhe projekte të tjera pikërisht për personat në fjalë. Ai shtoi se Fondacioni ka një përkrahje të fuqishme edhe në SHBA, por edhe në shtete të tjera të Evropës. Trepça, i cili tani më është i njohur si regjisor, sidomos në sferën e marketingut në Amerikë, shtoi se për projektet e tij përkrahje merr nga shumë artistë dhe regjisorë të Hollivudit, mërgimtarëve dibranë etj. Në vet automjetin për personat me aftësi të kufizuara, është bërë edhe një dizajnim me bukuritë e Dibrës dhe rajonit më të gjerë kombëtar, për çka një falënderim të veçantë i jep foto Art studio në Dibër.
Donacionin e pranoi drejtori i Qendrës për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, i cili tha se me këtë automjet special për personat e kësaj kategorie tejkalohen problemet e shumta me transportin e tyre. Automjeti përveç transportit ditor do të mundësojë edhe realizimin e ekskursioneve për personat e Qendrës. Sekretari shtetëror në Ministrin për punë dhe çështje sociale, Resmi Ejupi, falënderoi donatorët dhe shtoi se donacionet janë të mirëseardhura. Ai foli edhe për projektet që përgatiten për Qendrën në fjalë nga ana e ministrisë.
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, tha se projekte të këtilla janë të mirëseardhura në Dibër. Veçmas gëzon fakti se lideri i këtyre projekteve është dibran, i cili jeton në SHBA. Bashkëpunimi me donatorë të këtillë i ndihmon shumë Dibrës. Në emër të Shoqatës atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork për projektin foli kryetari i kësaj shoqate, Dashnor Miftari. Ai tha se mërgimtarët dibranë në Amerikë kanë përkrahur dhe vazhdojnë të përkrahin projekte të këtilla.