Opozita akuzon për kriminalitet, Qeveria thotë se po gënjejnë. Institucionet të heshtura për procedurat parahetimore lidhur me akuzat në fjalë. Atmosfera politike në vend ngjason sikur një serial kriminalistik
Xhenur ISENI
Shkup, 5 qershor – Qeveria më e korruptuar në Evropë, tendere të kurdisura, marrëveshje me të afërm të qeverisë të lidhur me narkokartel, drejtorë që shantazhojnë kompani, vjedhje e gjysmë miliardë euro në paralajmërim… janë vetëm një pjesë e disa akuzave të opozitës gjatë ditëve të kaluara përmes pres konferencave. Nga selia e opozitares VMRO-DPMNE për çdo ditë publikojnë informata lidhur me, siç thonë, qeverisjen kriminale të pushtetit aktual. Nga ana tjetër, Qeveria thotë se opozita gënjen, manipulon dhe shfrytëzon dokumente të falsifikuara me të cilën manipulon me opinionin. Për një pjesë të këtyre akuzave në opinion, Komisioni për Antikorrupsion dhe Prokuroria Publike kanë ngritur procedura parahetimore.
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci thotë se në shoqëri ka një polarizim të madh në bazë të linjës partiake, por edhe në linjë intraetnike, edhe në suaza të bashkësisë etnike maqedonase por edhe në suaza të bashkësisë etnike shqiptare. Sipas tij kur kemi një polarizim të tillë, atëherë aktorët politik nuk hynë në dialog konstruktiv të bazuar në argumente, por në debat në të cilën bazohet në akuza të përditshme ose mohim të të njëjtave.
“Një shoqëri dhe sistem i krijuar i tillë nuk mundet të ketë progres përpara, sepse nuk kemi konsensus të përbashkët rreth asaj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është spekulim. Në vazhdimësi hynë në spiralen e propagandave partiake, qytetarët nuk mund të vlerësojnë se çka është e vërtetë politike, çka është e vërtetë objektive dhe si të tillë më pas hynë në apati politike, ose janë të manipuluar. Kjo është, ndoshta nuk mund të them serial kriminalistik, por më shumë, gjithë thonë se kush është më i zëshëm në opinion, ky është qëllimi, jo që të kuptohen apo diçka tjetër”, ka deklaruar për KOHA, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
Analisti politik, Selim Ibraimi shprehet se situata momentale ngjason një seriali kriminalistik ku kemi akuza të ndërsjella mes opozitës dhe pozitës. Ai shprehet se gjendja e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është e rëndë dhe kjo është dokumentuar tashmë nga ShBA dhe BE. “Këtu s’kemi çka të diskutojmë pasi qeveria ka dështuar jo vetëm në korrupsionin në rritje por mungesa e zbatimit të ligjeve dhe vullnetit të gjykatave për të dënuar dhe proceduar rastet. Kultura e mosndëshkimit vazhdon te mbetet problem për qeverinë dhe organet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Atmosfera është e ngjashme me të Shqipërisë pothuajse, andaj qeveria duhet të përmirësojë klimën dhe të bëjë hapa konkretë drejt zbatimit të ligjeve”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, analist.
Një nga akuzat e fundit të opozitës është se Maqedonia është prodhues dhe eksportues i drogës për tregun e zi, me përfshirje të personave të afërt me kryeministrin Zaev. “Gjithnjë e më e qartë është se Maqedonia po shndërrohet në shtet që prodhon drogë, gjithnjë e më e qartë është se në biznesin e zi është e pamundur të hyhet pa pasur ndonjë link deri te personat në krye të regjimit dhe të familjes në pushtet. Maqedonia dhe regjimi gjithnjë e më shumë janë cak i hetimeve për rolin e tyre në tregun e zi dhe lidhshmërinë me mafian botërore të drogës”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski. Por nga Qeveria, thonë se opozita akuzon në bazë të parimeve të “thashethemeve”. Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski nga foltorja e Parlamentit akuzoi opozitën se po mundohen të fshehin turpin nga kriminaliteti i udhëheqësisë së mëparshme të VMRO-DPMNE-së.
“Manipulojnë faktet dhe opinionin sepse nuk kanë qëndrim, ide dhe ofertë se si të fitojnë në zgjedhje. Për gjithë dokumentet që i keni, e dini se duhet sipas Kushtetutës dhe ligjit të drejtoheni, por nuk keni guxim që përgjigjet ti kërkoni në institucionet sepse e keni vështirë të liroheni nga turpi nga kriminaliteti në udhëheqësinë e partisë tuaj”, deklaroi zëvendëskryeministri, Nikollovski. Zëvendëskryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski ditë më parë deklaroi se VMRO-DPMNE për momentin posedon dokumente edhe për afera tjera dhe skandale të karakterit korruptiv dhe paralajmëroi se do t’i publikojnë gjatë periudhës së ardhshme, dhe se dokumentet në fjalë i kanë marrë nga fishkëllues në pozita udhëheqëse të LSDM-së. (koha.mk)