Uashington, 2 tetor – Presidenti amerikan Donald Tramp po vijon me sulmet ndaj ligjvënësve demokratë që drejtojnë procedurat për ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.
Ai akuzoi sot kryetarin e komisionit të Zbulimit, Adam Shif për tradhti si dhe sulmoi gjithashtu informatorin e paidentifikuar i cili informoi me shqetësim rreth një telefonate të Trampit me homologun e Ukrainës.
Presidenti republikan e ka kritikuar vazhdimisht hetimin për shkarkimin e tij, gjë që u nxit nga një bisedë telefonike e tij me presidentin e Ukrainës, gjatë së cilës kërkoi një hetim që do të dëmtonte kundërshtarin politik të tij, ish-nënpresidentin Xho Bajden.
Tramp ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai nuk ka thënë asgjë të keqe gjatë telefonatës më 25 korrik të cilën e quan të “përsosur”.
Kjo nuk është hera e parë që Tramp sulmon kryetarin demokrat të komisionit të Zbulimit të Dhomës së përfaqësuesve Shif, i cili po udhëheq procesin e hetimit.
“Shif duhet akuzuar për tradhti sepse po i sajon fjalët e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm fjalët por edhe kuptimin e tyre”, tha Tramp. Ai shtoi se përpjekjet e demokratëve për shkarkimin e tij ishin të pabaza e të motivuara politikisht.
“Ata janë përpjekur të më shkarkojnë që prej ditës kur u zgjedha”, tha presidenti Tramp.
Duke akuzuar presidentin Tramp për “nxitje të dhunës”, udhëheqësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e paralajmëruan hapur atë dhe administratën e tij të mërkurën që të mos frikësojnë dëshmitarët e mundshëm në hetimin e tyre që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.
Ata thanë se po përgatitnin kërkesën që Presidenti të dorëzojë dokumente që lidhen me marrëdhëniet e tij me Ukrainën.
Kryetarja e Dhomës, Nensi Pelosi tha se presidenti Tramp mund të mos e kuptojë se sa të rrezikshme janë deklaratat e tij “kundër kallëzuesit që ekspozoi një telefonatë të muajit korrik mes presidentit Tramp dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski. Gjatë telefonatës, sipas informatorit, Tramp bëri presion për një hetim ndaj rivalit politik demokrat Bajden dhe familjes së tij.
Shif, duke akuzuar Trampin se po bënte thirrje për dhunë kundër informatorit, tha se çdo përpjekje për të ndërhyrë në hetimet e demokratëve do të konsiderohej si provë për pengim të drejtësisë dhe mund të përfshihej në akuzat për shkarkimin e tij.
“Ne nuk po bëjmë shaka”, tha ai.
Tramp nuk dha ndonjë shenjë se do të ndalej. Gjatë konferencës për shtyp të drejtuesve të Dhomës, ai shkroi në Tuiter: “Demokratët që nuk janë të mirë për asgjë duhet të përqendrohen te ndërtimi i vendit tonë.”
Demokratët bënë të ditur se të premten ata do t’i kërkojnë zyrtarisht Shtëpisë së Bardhë dokumente në lidhje me marrëdhëniet e Trampit me Ukrainën, duke përmendur “mosrespektimin flagrant” të kërkesave të tyre të mëparshme për informacion.