Ndeshja mes Afrikës së Jugut dhe Senegalit e vlefshme për kualifikueset e Botërorit e luajtur më 12 nëntor të 2016-ës dhe e fituar 2-1 nga afrikano-jugorët do të përsëritet. Ky ka qenë vendimi i FIFA-s, që ka arritur në konkluzionin se gjyqtari kryesor i kësaj sfide, ganezi, Xhorxh Lamptej, tashmë i pezulluar përjetë ka influencuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Një lajm i bujshëm ky që krijon një precedent shumë të rëndësishëm. Afrika e Jugut dhe Senegali bëjnë pjesë në Grupin D kualifikues të konfederatës afrikane, ku të diferenca mes ekipit të parë dhe të fundit është vetëm 2 pikë. Burkina Faso dhe Kepi i Verdhë kanë nga 6 pikë, Senegali 5 dhe Afrika e Jugut 4. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin Peter Mokaba, Xhorxh Lamtey vërshëlleu për një 11-metërsh të paqenë për prekje të topit me dorë nga senegalezi i Interit, Kulibali në fund të pjesës së parë. Për çudi të të gjithëve kryesori ganez e drejtoi gishtin nga pika e bardhë.
Më pas u zbulua se Lamptej kishte pasion bastet, sidomos ato me shumë gola, ndaj kishte bërë gjithçka që në këtë sfidë të drejtuar nga ai vetë, të shënoheshin të paktën tre gola. Protestat e Senegalit çuan në nisjen e hetimeve nga Konfederata Afrikane. Lamptej fillimisht u pezullua 3 muaj, por pasi në krye të qeverisë së futbollit afrikan u emërua Ahmad Ahmad, gjyqtari ganez i pezullua përgjithmonë. FIFA ka gjetur prova të përfshirjes së Lamptej në botën e basteve, ndërsa në ndeshjen konkrete fluksi i lëvizjes së parave për bastin me gola ka qenë anormal. FIFA-s i janë dashur plot 6 muaj për të vendosur që ndeshja duhet përsëritur.