Rruga nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë, në segmentin rrugor Kaçanik- Hani i Elezit sot përsëri është mbyllur për komunikacion për shkak të punëve ndërtimore në trasenë e fundit të autostradës “Arben Xhaferi” e cila ka shkaktuar kolona të gjata të veturave në rrugën që çon deri në kufirin me Maqedoninë në Bllacë, informojnë mediat kosovare.
Gjatë ditës së sotme ka pasur, madje deri katër orë pritje në rrugën alternative që është hapur për në Shkup, nëpër një pjesë të malit.
E gjithë kjo për shkak të punimeve në rrugën nacionale Kaçanik-Hani i Elezit, e cila lidh pikën kufitare me Maqedoninë.
Kjo rrugë hapet vetëm një orë gjatë ditës, njofton Kosovapress.
Me datën 22 dhjetor Ministria e Infrastrukturës kishte njoftuar se kjo rrugë ishte hapur për qarkullim, duke ritheksuar se qarkullimi rrugor mund të zhvillohej pa pengesa.