Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International (AI) e ka quajtur “aparteid çnjerëzor” diskriminimin dhe persekutimin afatgjat të muslimanëve të Arakanit në Mianmar. Në raportin e ri të organizatës, i cili mblodhi provat dhe intervistat dyvjeçare, tregohet në detaje mënyra e jetesës së muslimanëve Rohingya të Mianmarit ku thuhet se ata po i nënshtrohen “një sistemi të tmerrshëm të bazuar në diskriminimin e institucionalizuar, i mbështetur nga shteti, i cili arrin deri në Aparteidin çnjerëzor (sistem i diskriminimit racor)”. Duke vënë në dukje se diskriminimi po përkeqësohet sidomos në 5 vitet e fundit, parashtrohet pyetja se me çfarë do të ballafaqohen kur të kthehen në shtëpitë e tyre ata të cilët kanë ikur nga operacionet ushtarake. Në raport qëndron se qeveria e Mianmarit duhet t’u japë shtetësi dhe t’u sigurojë të drejtat tjera Rohingyave. Këtu paralajmërohet që zhvillimi ekonomik në Arakan nuk duhet të përdoret si një mjet i cili çon më tej në diskriminim. Anna Neistat, njëra nga menaxhueset e organizatës, në raport ka potencuar se “Komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjohet nga ky ankth dhe të përballet me të vërtetën e asaj se çfarë po ndodh me vite në Arakan”. Neistat po ashtu thotë se komuniteti ndërkombëtar dhe donatorët duhet të jenë të sigurt se mbështetjet e tyre nuk rezultojnë me pjesëmarrje në këto shkelje.