Përse rrëmbehen fëmijët në Nigeri?

86

Pas rrëmbimit të vajzave në Çibok, ka nisur Iniciativa e Shkollave të Sigurta, për të forcuar sigurinë në shkollat e Nigerisë verilindore, duke ngritur rrethoja rreth tyre. Së paku 20 milionë dollarë janë premtuar për projektin trevjeçar, i cili është mbështetur nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Arsimin Global, Gordon Brown, njëherësh ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

Që nga dhjetori, mbi 600 nxënës janë rrëmbyer nga shkollat në veriperëndim të Nigerisë. Rrëmbimi, të premten e kaluar, i 279 nxënëseve nga Shkolla e Mesme Shkencore për Vajza në qytetin Jangebe, ishte i dyti masiv në më pak se dhjetë ditë. Vajzat janë liruar të martën. Njëzeteshtatë djem dhe mësuesit e tyre, që janë kidnapuar nga një shkollë në Kagara më 17 shkurt, janë lënë të lirë të shtunën. Autoritetet thonë se sulmet në shkolla kryhen nga banditë, grabitës të armatosur, shushunja bagëtish e milici të tjera të armatosura që veprojnë në rajon, e që kryesisht motivohen nga paratë. Shumë besojnë se infrastruktura e dobët e sigurisë dhe guvernatorët që kanë pak kontroll mbi sigurinë në rajonet e tyre, kanë kontribuar që rrëmbimet masive të bëhen burim i të ardhurave.
Deri më tani, viktima të rrëmbimit kanë qenë kryesisht udhëtarë në veriperëndim të Nigerisë, që paguanin nga 20 deri në 200.000 dollarë për lirinë e tyre. Por, që nga rrëmbimi i 276 vajzave nga militantët e grupit Boko Haram, në një shkollë të mesme në qytetin Çibok, më 2014, grupet e armatosura rrëmbejnë gjithnjë e më shumë nxënës. Rrëmbimi i nxënësve në vend të udhëtarëve garanton publicitet dhe përfshirjen e Qeverisë në negociata – gjë që mund të nënkuptojë edhe miliona dollarë shpërblime. Duke folur për BBC-në, ekspertja e sigurisë, Kemi Okenyodo, beson se kjo i ka bërë rrëmbimet fitimprurëse për bandat kriminale.
“Vendimi për pagesën e shpërblimit duhet të rishikohet. Cilët janë hapat më të mirë në parandalimin e rrëmbimeve, në mënyrë që të shmangim pagesën e shpërblimit”, pyetet ajo. Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, gjithashtu ka sugjeruar që guvernatorët e shtetit po e nxisin krizën. “Qeveritë e shtetit duhet ta rishikojnë politikën e tyre të shpërblimit të banditëve me para dhe automjete. Një politikë e tillë ka potencial të kthehet me pasoja shkatërrimtare”, ka thënë Buhari. Organizatori i rrëmbimit të më shumë se 300 nxënësve në shtetin Katsina në dhjetor, është falur së voni në shtetin pranë, Zamfara, pasi ai “ka shprehur pendesë” dhe i ka dorëzuar armët. Auwalu Daudawas dhe bandës së tij i është premtuar akomodim në qytet dhe ndihma të tjera nga guvernatori i shtetit Zamfara, Bello Matawalle.
Në korrik të vitit të kaluar, Matawalle u ka premtuar banditëve nga dy lopë për secilën armë AK-47 që e dorëzojnë. Edhe pse ushtria aktualisht po kryen një operacion kundër banditëve në rajon, komunitetet janë dëbuar dhe shumica e rezervave të pyjeve në rajon janë nën kontrollin e kriminelëve.
ÇFARË ËSHTË BËRË PËR TË SIGURUAR SHKOLLAT?
Pas rrëmbimit të vajzave në Çibok, ka nisur Iniciativa e Shkollave të Sigurta, për të forcuar sigurinë në shkollat e Nigerisë verilindore, duke ngritur rrethoja rreth tyre. Së paku 20 milionë dollarë janë premtuar për projektin trevjeçar, i cili është mbështetur nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Arsimin Global, Gordon Brown, njëherësh ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Në kuadër të skemës janë ndërtuar shumë shkolla kontejnerë si hapësira të përkohshme mësimore, por nuk dihet nëse është ndërtuar ndonjë gardh në komunitetet e prekura. Meqë shumica e rrëmbimeve të fundit kanë ndodhur në veriperëndim të Nigerisë, pjesë që nuk ishte mbuluar nga Iniciativa e Shkollave të Sigurta, rrëmbimi i 110 vajzave nga Dapçi në shtetin verilindor Jobe, më 2018, ka ngritur pikëpyetje në lidhje me suksesin e iniciativës. Ushtria e Nigerisë ka ngritur postblloqe afër disa shkollave, por numri i shkollave në veri do të thotë se shumë kanë mbetur të pambrojtura. Disa shkolla kanë punësuar banorë lokalë të armatosur, por kjo shpesh ka rezultuar joefektive ndaj banditëve të armatosur rëndë.
SI KANË REAGUAR NIGERIANËT?
Ndryshe nga rrëmbimi i vajzave në Çibok, që ka tërhequr vëmendje në të gjithë botën, reagime ndaj rrëmbimeve të mëvonshme nuk ka pasur shumë. Nuk ka pasur hashtagë (thurje) në mediat sociale, si #BringBackOurGirls (Na i ktheni vajzat tona), që kanë tërhequr mbështetje globale dhe kanë ndihmuar në ushtrimin e presionit ndaj autoriteteve të atëhershme për të vepruar. Nuk ka pasur as demonstrata në rrugë në Nigeri. Bukky Shonibare, bashkëthemelues e Grupit “Bring Back Girls” (Na i ktheni vajzat), i cili ishte përfshirë në protesta në Abuja kur ka ndodhur incidenti në Çibok, thotë se nigerianët janë të rraskapitur nga frekuenca e rrëmbimeve masive.
“Ka kufi në atë që mund të pranojë zemra. Nigerianët kanë përjetuar shumë pas rrëmbimit të vajzave në Çibok… njerëzit janë thjesht të lodhur”, thotë Shonibare për BBC-në. Ajo thotë se përkundër mungesës së demonstratave në rrugë, grupi i saj ka bërë presion prapa skenave për t’i zgjidhur rrëmbimet që kanë pasuar. Si është ndikuar arsimi në rajon? Autoritetet në shtetet Kano dhe Jobe kanë urdhëruar mbylljen e mbi 20 shkollave në fundjavë, për shkak të pasigurisë. Së voni, disa shkolla janë mbyllur edhe në shtetet Zamfara dhe Niger. Në shtetet Borno, Jobe dhe Adamava, dhjetëra shkolla janë të mbyllura për vite me radhë, për shkak të kryengritjes së Boko Haramit. Sipas Fondacionit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), frekuentimi në shkollat fillore në Nigerinë veriore është vetëm 53 për qind, edhe pse arsimi në këtë nivel është falas dhe i detyrueshëm. Po sipas UNICEF-it, shkollimi i vajzave është edhe më i vogël, për shkak të normave dhe praktikave socio-kulturore, që e dekurajojnë shkuarjen në shkollë. (REL)