Përse nuk kemi ende një vaksinë për koronavirusin?!

31

Një botë e përfshirë nga paniku do ta ndjekë me ankth zhvillimin e vaksinave përmes testeve klinike gjatë vitit të ardhshëm. Tregjet gjithashtu do ta mbajnë njërin sy hapur

Nga Stephen BURANYI

Koronavirusi duket se do të jetë me ne për një kohë të gjatë. Pavarësisht nga përpjekjet e paprecedent për izolimin dhe kontrollin e tij – me 50 milionë njerëz të mbyllur dhe aktivitetin ekonomik praktikisht të bllokuar në Kinë – rastet vetëm sa janë shtuar gjatë javëve të fundit. Bota tani raporton një total prej më shumë 150.000 infeksionesh jashtë Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë e kujdesshme me përdorimin e fjalës “pandemi”, por javën e kaluar i këshilloi të gjithë vendet të përgatiteshin sikur infeksioni të kishte mbërritur edhe tek ata. Në të njëjtën ditë, Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, dha një lajm të mirë të rrallë: tha se i ka mbërritur kandidati i parë për një vaksinë kundër korovirusit që tani duket e quajnë Sars-CoV-2. Vaksina është krijuar nga një kompani e quajtur Moderna dhe testet mund të fillojnë që në muajin prill. Anthony Fauci, drejtori i institutit, sqaroi se vetëm tre muajt e kaluar nga zbulimi i virusit dhe prodhimi i saj përbëjnë një rekord të ri.

Asgjë tjetër e ngjashme më parë, sipas tij, nuk ka ecur kaq shpejt. Vaksinat mbeten arma më e mirë e shkencës (e praktikisht, dhe e vetmja) kundër viruseve. Por sërish, afati kohor për krijimin e një vaksine, i matur në vite, duket se nuk përputhet me një pandemi dhe shtrirjen e saj: sëmundja mund të përhapet shpejt, të vrasë dhe shpesh paskëtaj, zhduket brenda disa javësh apo muajsh. Historiku modern i vaksinave nuk ngjall shumë besim. Ka pasur shpërthime të shumta virale ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit – Sars-CoV-1, Mers, Zika, Ebola – e që të gjithë shkaktuan gara të ngjashme për prodhimin e një vaksine. Por deri tani, vetëm përpjekjet për një vaksinë kundër Ebolas qenë të suksesshme, ajo u miratua vitin e kaluar.

Përse ndodh kjo? Vaksinat për epidemitë duhet të kapërcejnë të njëjtat pengesa shkencore dhe rregulla si trajtime të tjera premtuese, por ato gjithashtu vuajnë dhe nga një mungesë interesi gati-totale në tregjet e drejtuara nga biznesi farmaceutik. Vetëm disa ndërmarrje masive kanë aftësinë të zhvillojnë e prodhojnë një vaksinë nga fillimi në fund, pjesërisht për shkak të shpenzimeve dhe afateve kohore të përfshira, si edhe faktit që vetëm ato kanë konsoliduar patentat në proceset e prodhimit – një situatë të cilën analistët e quajnë hapur “oligopol”. Suksesi për këto kompani është trajtimi i një sëmundje të përhapur e të vazhdueshme, që t`i mundësojë atyre shitjen e vaksinës çdo vit. E tillë është vaksina e HPV e Merck, Gardasil, në lojë prej gati 20 vjetësh: e prezantuar në 2006-tën ajo ende sjell mbi 1 miliard paund fitime vjetore.

Edhe nëse hulumtimi nis gjatë një pandemie, natyra e paparashikueshme e shpërthimit të sëmundjeve, do të thotë se shpesh puna frenohet nëse kriza vdes; në këtë mënyrë, avancimi ndalet deri në një shpërthim tjetër infeksioni. SARS dhe MERS ishin gjithashtu koronaviruse, por pasi ata u zhdukën, puna kërkimore rreth tyre, ndaloi. Jason Schwartz, profesor i Yale, tha se “ po të mos e kishim lënë mënjanë programin e hulumtimit për vaksinën e SARS, tani do të kishim pasur shumë më tepër material nga ajo punë themelore të cilin mund ta aplikonim në rastin e këtij virusi të ri”.

Është e thjeshtë të fajësohen gjigantët farmaceutikë çdo herë që ndodh një krizë, por industria kështu ka funksionuar për dekada. Qeveritë nuk kanë dashur të merren me këto tregje, edhe pse është e qartë se nuk mbështeten dot tek ato. Ka pasur thirrje prej vitesh, sidomos pas ndonjë shpërthimi epidemik apo sulmi terrorist, që shteti të ngrihej në nivelin e angazhimeve të tij për hulumtime. Qeveria amerikane ka shpenzuar më shumë se 500 milion paund për kërkimet mbi koronaviruset gjatë 20 viteve të fundit; Britania e Madhe vetëm tani vonë njoftoi një strukturë të re të ngritur në Oksford e cila do t’i lejojë qeverisë të prodhojë vaksinat e veta- një hap i jashtëzakonshëm, por qe nuk do të funksionojë deri në vitin 2022.

Një botë e përfshirë nga paniku do ta ndjekë me ankth zhvillimin e vaksinave përmes testeve klinike gjatë vitit të ardhshëm. Tregjet gjithashtu do ta mbajnë njërin sy hapur. Pasi Fauci tha që ishte “shumë zhgënjyese” që asnjë kompani e madhe farmaceutike nuk u ofrua të prodhonte vaksina, Sanofi dhe Johnson & Johnson njoftuan partneritete të reja me qeverinë amerikane për trajtime të mundshme. Sidoqoftë, sekretari i shërbimeve shëndetësore dhe njerëzore, Aleks Azar nuk dha asnjë garanci se “ ajo do të jetë e përballueshme. “Ne kemi nevojë për sektorin privat për të investuar”, tha ai, “kontrolli i çmimeve nuk na çon dot atje”. (The Guardian)

Comments are closed.