Me kualifikimin në çerekfinale Brazili hedh një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivit që është triumfi final. Pas zhgënjimit të 4 viteve më parë në gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë, “pentakampeonët” janë në rrugën e mbarë pavarësisht se deri më tani nuk kanë bindur me lojën e tyre. Janë të shumta kritikat për Selecaon, për mënyrën se si luan në fushë, por ndoshta pikërisht mungesa e bukurisë në lojë është një tregues se përse ky mund të jetë viti i tyre. Tite ka bërë ndryshime të mëdha në konceptin e lojës, pasi nuk është më Brazili i Jogo Bonitos, por një skuadër e adaptuar më së miri me stilin evropian, e fortë në mbrojtje dhe cinike në sulm. Statistikat flasin për Brazilin më pak produktiv në fazën sulmuese, si për golat e shënuar ashtu edhe për gjuajtjet drejt portës, por po të llogaritet në përqindje atëherë vërehet që ky është ekip që shfrytëzon mundësitë e veta. Ndaj Meksikës u pa një mbrojtje e hekurt kur fatet e sulmit u lanë në duart e 4 lojtarëve të repartit të avancuar. Nejmar edhe pse ishte protagonist në golin e parë, ende nuk duket njeriu i duhur për të marrë përsipër fatet e një skuadre, me Uilliam Borges që ndaj Meksikës ishte më i miri në fushë. Kjo është një tjetër e dhënë që Brazili mund t’i shkojë deri në fund misionit të vendosur, pasi nuk është një skuadër që varet nga vetëm një futbollist, por në sulm ka aq shumë alternativa sa bëjnë me dhimbje koke çdo kundërshtar. Jo më kot goli i dytë erdhi nga stoli, me Firminjon që konsiderohet një rezervë luksi. Në këtë moment armiku i vetëm i “verdeamarilla” është mendjemadhësia, sepse nëse Tite do të arrijë të mbajë me këmbë në tokë futbollistët, atëherë në vendin e Kalinkës së famshme me siguri që mund të kërcehet samba braziliane në finalen e Luzhnikit më 15 korrik.