Përse Maqedonisë Veriore i duhet Blerim Reka me një Lëvizje të re?

Mbase Reka me shtabin e tij duhet të formojë një Lëvizje qytetare apo edhe Parti politike që i zhveshë hajdutët nga votat partiake të tyre. Sepse ata e dinë shumë mirë se kush është BDI dhe PDSH-por nuk kanë deri sot asnjë alternativë reale se ku mund të drejtohen.

Nga Sead ZIMERI

Na duhet një Lëvizje në RMV që iu flet shqiptarëve me një gjuhë qytetare; që do te thotë: iu flet njëkohësisht edhe maqedonasve ashtu siç iu fliste Blerim Reka dhe si depërtoi me më shumë se 8000 vota edhe në qytetet ku ka vetëm qytetarë maqedonas si Gjevgjelia, Strumica, Velesi, Prilepi, Kavadarci, Sveti Nikolle, lagjet që njihen si shoveniste në Shkup- Aerodrom, etj. Na duhet pra një parti e vërtetë qytetare, sepse asnjë parti tjetër nuk është zgjidhje inteligjente e bashkë-ekzistencës në Maqedoni. Të drejtat e barabarta mund t’i fitojmë vetëm atëherë kur maqedonasit na shohin si të barabartë, por ata nuk mund të na shohin si të tillë nëse ne zgjedhim njerëz me diskurse etno nacionaliste, që vazhdimisht flasin sikurse tjetri është armik ekzistencial, etj.

Ne duhet ta bëjmë kete çarje në politikë, dhe aktualisht kjo çarje ka emër dhe mbiemër, quhet Blerim Reka, prandaj është absolutisht e domosdoshme, imperativ politik kohor, që ky moment, ky kapital i akumuluar politik të mos humbet. Është kapital i madh dhe mund të investohet ne krijimin e një  Lëvizje moderne qytetare. Kjo do të ishte diçka plotësisht e re në politikën tonë, do të ishte njëkohësisht një revolucion në organizimin e partive dhe strukturave politike, do të ishte një përmbysje e vlerave përçarëse me prapavijë etnike, do të ishte një hap i jashtëzakonshëm në krijimin e një hapësire të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të vërtetë mes qytetarëve pavarësisht prapavijave etnike, si dhe do të ishte parti e vërtetë qytetare.  Kjo nuk është bërë asnjëherë, dhe atë për dy arsye mendoj:

E para: nuk kemi pasur njerëz vizionarë dhe as shqiptarë, as maqedonas për ta marrë një hap radikal të tillë.

E dyta: nuk ka ekzistuar terren për daljen në skenë të partive të tilla, madje edhe po të kishim kandidatët.

Politika ne Maqedoninë tonë por edhe në Ballkan, në përgjithësi, është bërë në vija të trasha të ndarjeve etnike. Kjo mbase e kuptueshme në kohën e vetë. Tani ka ardhur koha që ta tejkalojmë atë, dhe pasi qe ajo nuk tejkalohet vetvetiu, por duhet aktivisht të punojmë për tejkalimin e saj, dhe pasi që ka shkëndija shpresë për një realitet të ri qytetar, një gjë e këtillë më nuk është e pamundshme.

Profesori Reka, është agjenti i fillimit të realizimit të një vizioni qytetar modern për shqiptaret dhe per maqedonasit por edhe për të gjitha grupet e tjera. Unë me gjithë qejf i nënshkruhem një pakti të këtillë.

Pse është e domosdoshme që të krijojmë një çarje politike në Maqedoni?  Nëse vërtetë jemi serioz dhe duam të ndërtojmë një shtet qytetar për të gjithë qytetarët dhe të gjitha etnitë në Maqedoni atëherë nuk ekziston rrugë tjetër pos krijimit të partive dhe lëvizjeve me programe dhe synime qytetare. Premisa e një lëvizje moderne qytetare është që shqiptarët mund t’i arrijnë të drejtat e tyre me një gjuhë politike qytetare (shtetërore), duke përdorur arsyen publike si gjuhë të përbashkët nëpërmjet neve dhe etnive tjera të artikuluar përmes gjuhëve tona etnike.

Të drejtat tona si shqiptarë duhet t‘i kultivojmë dhe të kërkojmë përfaqësim të barabartë, por në vazhdimësi duhet pasur parasysh se si diskurset tona etnike dhe politike reflektojnë vendimin tonë që të qëndrojmë si qytetarë të shtetit.

Vendimi ynë kolektiv që të ndërtojmë një shtet të përbashkët kërkon që politikat tona të reflektojnë jo vetëm interesat etnike tona por edhe interesat qytetare të qytetarëve të tjerë, ngase nuk mund të ndajmë një hapësirë të përbashkët dhe në paqe kur ne nuk marrim parasysh nevojat e qytetarëve të tjerë, si dhe të tjerët nuk marrin parasysh nevojat tona. Sfera publike e shteteve demokratike,pra, duhet t’i inkuadrojë të gjithë qytetarët. Kam frikë që diskurset nacionaliste kanë efektin e kundërt nga ajo që ato dëshirojnë ta arrijnë. Të mbyllur dhe të ndarë nga njëri-tjetri, nuk mund të ndërtojmë shtet qytetar dhe modern.

Politikat nacionalisite veprojnë sikurse tjetri nuk ekziston, dhe rrjedhimisht nuk ndihet nevoja e bashkëbisedimit me të si qytetarë por vetëm si tjetër që shumë herë, për të mos thënë përherë perceptohet si armik.  Këto ndjenja të armiqësisë duhet t’i tejkalojnë, edhe pse kemi pasur një histori të hidhur ndërmjet njeri-tjetrit. Por, pasi që kemi vendosur të bashkëjetojmë në një shtet, mënyra më e mirë e bashkëjetesës është mënyra qytetare, duke e folur një gjuhë të përbashkët publike ku tjetri nuk është apriori armik me të cilin nuk mund të bisedohet por qytetar me të cilin kemi mospajtime dhe divergjenca, por pasi që ndajmë një kornizë kushtetuese shtetërore dhe një sferë publike përmes arsyes edhe mund të arrijmë në zgjidhje të pranueshme për të gjithë. (koha.mk)