Që në momentin e parë të ditës kur hapin sytë deri në mbrëmje kur shtrihen të flenë fëmijët duket se bëjnë shumë pak gjëra të pavarur nga prindërit. I përgatisim mëngjesin, i bëjmë gati çantën e shkollës, u lidhim këpucët dhe pasi vijnë nga shkolla, po prapë detyrat i bëjmë bashkë, luajmë me ta e kjo gjë përsëritet për vite me radhë. Prindi luan një rol të rëndësishëm në formimin e fëmijës e duke dashur që fëmijët të jenë të përsosur, gabojnë, pasi i ndihmojnë thuajse në çdo gjë pa u lënë mundësinë të dështojnë e të mësojnë nga gabimet e tyre. Sa herë në ditë dëgjoni fëmijën tuaj të thotë: mami do e bëj vetë ? Ndoshta shumë rrallë, pasi ai ka refren shprehjen: Mami si bëhet kjo? Ne nuk duam t’i shohim fëmijët tanë të përjetojnë dhimbje apo dështime, ndaj prindërit udhëhiqen nga instinkti e ndihmojnë fëmijët. Sipas psikologëve fëmijët fitojnë aftësinë për të qenë të pavarur nga prindërit rreth moshës 4 vjeçarë dhe nëse ju i lini ata të bëjnë veprime të tilla si : përgatitja e një fete buke, përgatitja e çantës së kopshtit apo lidhja e këpucëve, do shihni se sa mirë do t’ia dalin. Nëse fëmija do të dështojë, ai do të dijë si t’i japë zgjidhje problemit një herë të dytë, do të bëhet autonom dhe do të ndajë të mirën nga e keqja. Duhet të shkojmë një hap prapa në mënyrë që të rrisim fëmijë të talentuar e të zotë.