Nicolas Pepé e ka zgjedhur Arsenalin dhe tashmë nuk ka më dyshime, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Mirëpo, vetëm disa ditë më parë, Samir Khiat, menaxher i futbollistit nga Bregu i Fildishtë, kishte zbarkuar në Dimaro, në qendrën stërvitore të Napolit, për të biseduar me drejtuesit e klubit, De Laurentiis e Giuntoli.
Mirëpo, duket se takimi nuk ka shkuar mirë si duhet, kështu që Pepe e ka zgjedhur Arsenalin.
Dhe, menaxheri i futbollistit ka folur për sajtin nga Bregu i Fildishtë, “Sport Mania”, duke e konfirmuar marrëveshjen totale të arritur me Napolin, por ndërkohë i ka shpjeguar motivet që e kanë shtyrë që ta pranojë ofertën e Arsenalit.
“Pas takimeve që kishim me klube të ndryshme, Nicolas Pepe ka mundur të zgjidhte në mes Napolit e Arsenalit. Nuk po gënjej: një marrëveshje totale ishte arriur me Napolin. Mirëpo, Arsenali ishte më bindës në ofertën e fundit, si në aspektin financiar ashtu edhe në projektin sportiv”, ka thënë menaxheri i futbollistit.
Futbollisti i krahut i Lilles pritet t’i kushtojë Arsenalit plot 80 milionë euro.
Menaxherëve do t’ju takojnë 6 milionë, ndërsa sulmuesi do t’i marrë afro 6 milionë euro në sezon.
Tash Napoli duhet të koncentrohet në objektiva të tjerë, ndërsa qe një kohë është duke e kërkuar James Rodriguezin, që duket se është gjithnjë e më larg Real Madridit.