Shkup, 13 qershor – Të ruajmë trashëgiminë, ta pasurojmë dhe të mësojmë prej saj, ishte një prej qëllimeve kryesore të projektit “Përrallat e gjyshes – thesar i trashëgimisë” që u zhvillua në tre shkolla të vendit në SHFK “Hasan Prishtina” – Çair, SHFK “Penestia” Dibër dhe SHFK “Naim Frashëri” në Kumanovë. Përmes punëtorive të organizuara nxënësit e klasave të ndryshme iu krijua mundësia që të njihen me këtë pjesë të thesarit të trashëgimisë, të analizojnë përmbajtjet, të gjurmojnë për të sjellë përralla të vjetra nga gjyshërit e tyre, por edhe të ritregojnë dhe t’i interpretojnë ato.
Ideatorja dhe realizatorja e këtij projekti, Laura Papraniku Bejtullahu sqaron se synimi i këtij projekti është të sensibilizojë opinionin për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë, duke nisur tek moshat më të reja, por edhe të forcojë lidhjet mes gjeneratave.
“Në një formë argëtuese dhe të përshtatshme për moshën e tyre nxënësit u nxitën për të gjurmuar përrallat, nga gjyshërit dhe të afërmit e tyre. Dhe ia arritën, duke sjellë përralla me tematikë të ndryshme e mesazhe edukative, e që është më e rëndësishme nga shumë krahina të ndryshme të vendit. Qëllimi i këtij projekti ishte që të shërbejë si një urë lidhëse mes të tashmes dhe së shkuarës, mes të vegjëlve dhe më të rriturve, por mbi të gjitha të rrisë interesin për leximin dhe të zhvillojë më tej kapacitetet e tyre krijuese”, thotë Papraniku.
Punëtoritë “Përrallat e gjyshes/it – thesar i trashëgimisë” janë pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës për financimin e projekteve të vitit 2022, por që u mbështetën në forma të ndryshme nga Shoqata ”Dea22”, Komuna e Dibrës, Shtëpia Botuese “Albas” dhe AKV “ Emin Duraku”.