Shqiptarët janë arsyeja kryesore që në Ballkan të gjithë i kanë punët më mirë se sa ata vetë. Gjendja e tashme i detyron shqiptarët që të punojnë dhe të krijojnë kushte që Serbia, Maqedonia, Mali i Zi por edhe Greqia, të zhvillohen ekonomikisht. Pra, këto shtete zhvillohen me mundin dhe paratë e shqiptarëve, të cilët, njëkohësosht mbesin më të paorganizuarit, më të varfërit, më të paarsimuarit…
Nga Daut DAUTI
Zyrtarisht, shqiptarët në Maqedoni përbëjnë diku rreth 25 % të popullsisë së këtij shteti. Kjo është shifra që ka dalur sipas regjistrimit të vitit 2002 kur shteti maqedon kishte ndërmarrë masa që shqiptarët të figurojnë me përqindje sa më të ulët. Por, të gjithë e dijnë se kjo përqindje në realitet është më e madhe. Megjithatë, edhe nëse e pranojmë këtë rezultat shohim se shqiptarët në Maqedoni gëzojnë shumë më pak të drejta se sa serbët në Kosovë ku nuk janë më shumë se 5 %. Derisa serbët në Kosovë janë të privilegjuar, shqiptarët në Maqedoni janë të diskriminuar e shpesh edhe të persekutuar. Në Kosovë gjuha serbe është gjuhë zyrtare kurse në Maqedoni gjuha shqipe, pas 18 viteve të marrëveshjes, diku-diku është bërë gjysëm zyrtare me shumë kushte.
Në Serbi ka shqiptarë më shumë se që ka serbë në Kosovë. Por, të drejtat e shqiptarëve në Serbi as që mund të krahason me ato që serbët i gëzojnë në Kosovë. Ta zëmë, shqiptarët në Serbi e kanë vetëm një deputët në Kuvendin e Serbisë kurse serbët në Kosovë kurrë nuk kanë më pak se 10. Kjo është për shkak se kushtetutat e këtyre vendeve i privilegjojnë serbët dhe maqedonët në kurriz të shqiptarëve.
Kjo është një gjendje e rëndë e cila e pengon zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve në këto vende. Përkundër kësaj pabarazie, elitat politike shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, e përkrahin këtë gjendje. Këto elita ndihmohen nga disa media, segmente të shoqërisë civile apo OJQ-ve, të cilat, poashtu, janë të kënaqura me këtë gjendje. Nuk duhet harruar se ishin OJQ-të dhe shumë ‘personalitete’ dhe ‘analistë’ që e shtynë me tërë fuqinë që kishin faljen e territorit Malit të Zi duke u arsyetuar (naivisht) me ‘faktin’ se do të ndodhte liberalizimi i vizave dhe do të përfundonin problemet e Kosovës. Kjo bëhej përkundër faktit që malazezët nuk insistonin ta merrnin këtë territor. Me fjalë tjera, kjo elitë politike, e ndihmuar nga një segment i gjërë i shoqërisë civile, ia kanë dhënë me zor Malit të Zi territorin e Kosovës. Ia prunë punën Malit të Zi që nuk pati qare pa e marrë.
Por, pse funksionon kështu, në dëmë të vetit, kjo ‘elitë’ dhe kjo ‘shoqëri civile’ me disa ‘intelektualë’? Funksionon kështu për shkak se duke qenë e papërgatitur dhe e padinjitetshme ka kaluar nga stadi i dëgjueshmërisë në atë të një serviliteti të pështirë ndaj qeverive të vendeve fqinje por edhe më gjërë. Por, interesat që i mbronë kjo ‘elitë’ janë interesat e tyre personale e jo ato të shtetit apo popullit. Dhe, tashti e kemi parë se për intersa personale dhe grupore kjo ‘elitë’ politike është e gatshme që t’i prishë mardhëniet me shtetet mike pa e patur parasyshë se ky veprim reflektohet në dëm të popullit.
Bashkësia ndërkombëtare ka dëshmuar se edhe kështu e përkrahë këtë strukturë qeverisëse të shqiptarëve vetëm sa për ta ruajtur gjendjen ekzistuese e cila në sipërfaqe duket paqësore. Në këtë gjendje shqiptarët nuk mund të organizohen politikisht e as të përparojnë ekonomikisht për shkak se asnjë institucion nuk iu funksionon siç duhet. Prandaj, shqiptarët momentalisht nuk kanë rrugëdalje tjetër pos të merren me vetveten, me varfërinë dhe me probleme të kota të cilat në fund i detyrojnë që ta lëshojnë vendin e tyre.
Shqiptarët janë arsyeja kryesore që në Ballkan të gjithë i kanë punët më mirë se sa ata vetë. Gjendja e tashme i detyron shqiptarët që të punojnë dhe të krijojnë kushte që Serbia, Maqedonia, Mali i Zi por edhe Greqia, të zhvillohen ekonomikisht. Pra, këto shtete zhvillohen me mundin dhe paratë e shqiptarëve, të cilët, njëkohësosht mbesin më të paorganizuarit, më të varfërit, më të paarsimuarit …
Pasi që gjithçka ka fund, një ditë edhe këtij durimi ndaj kësaj gjendjeje i vjen fundi. Një ditë shqiptarët do të kërkojnë (seriozisht) arsyen pse janë në këtë gjendje dhe mënyrën se si duhet të dalin nga aty. Vazhdimi i jetës inferiore është kundër natyrës njerëzore.
Idetë dhe besimet se një ditë Serbia dhe Maqedonia do të demokratizohen dhe se do të hyjmë së bashku në Union Evropian ku të gjithë do të jemi të barabartë dhe do të dalim nga kjo gjendje, janë përralla për fëmijë të vegjël.