Nëse do të bënim një krahasim me përqindjet e evidentuara gjatë regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, në shumë komuna të dalluara për shtimin natyror të lartë të popullsisë, gjatë njëzet viteve mund të vërehet se jo vetëm që përqindja nuk ka ndonjë rritje domethënëse, por në shumë raste reduktimi i popullsisë është i madh. Humbëset më të mëdha gjatë dy dekadave janë Gostivari e Struga, apo Dibra e Kërçova
Evis HALILI
Shkup, 1 prill – Të padeklaruar, të zhvendosur për një jetë më të mirë në qytete të tjera, apo edhe jashtë vendit, janë disa prej shkaqeve që mund të përligjin shifrat e reduktuara të popullsisë shqiptare në disa komuna, sipas të dhënave zyrtare të Regjistrimit të popullsisë të publikuara së fundmi nga Enti Shtetëror i Statistikave. Nëse do të bënim një krahasim me përqindjet e evidentuara gjatë regjistrimit të popullsisë së vitit 2002, në shumë komuna të dalluara për shtimin natyror të lartë të popullsisë, gjatë njëzet viteve mund të vërehet se jo vetëm që përqindja nuk ka ndonjë rritje domethënëse, por në shumë raste reduktimi i popullsisë është i madh. Komunat që kanë humbur më shumë shqiptarë gjatë dy dekadave janë Gostivari e Struga, apo Dibra ku numërohen mijëra banorë më pak. Pavarësisht se nuk janë në minus, komuna si Tetova kanë një shtim shumë të vogël të numrit të popullsisë, apo Studeniçani e Kumanova që ka përqindje të pandryshuar.
Ulja më e madhe e popullsisë shqiptare ka ndodhur në Gostivar, ku nga mbi 66 për qind banorë shqiptarë tani ata përbëjnë vetëm 55 për qind të popullsisë. Pak martesa e pak lindje dhe trendet negative të natalitetit për këtë komunë kanë alarmuar që në 2016 ku shtimi natyror i popullsisë ishte vetëm 1 banor. Një komunë tjetër, Sopishte po ashtu renditet e dyta sa i takon përqindjes së zbrazjes nga shqiptarët, ose 9 për qind shqiptarë më pak. Ngjashëm është komuna e Bërvenicës ku shqiptarët janë reduktuar, me 7 për qind më pak sesa në vitin 2002 (nga 61për qind në 54 për qind). Ndërsa komuna si Struga, Bogovina, Vrapçishti, përbëhen po ashtu me 6 për qind shqiptarë më pak. Nëse në Strugë në vitin 2002 më shumë më shumë se 56 për qind e popullsisë ishte shqiptare, tani kjo përqindje mezi arrin në 50. Në Vrapçisht mbi 83 për qind e popullsisë ishin shqiptarë, ndërsa tani vetëm 76 për qind e banorëve janë shqiptarë. Në Bogovinjë, komunë me një përqindje të lartë në vitin 2002 (mbi 95 për qind ) pas dy dekadash në këtë komunë përqindja e shqiptarëve nuk arrin dot as 90 për qind. Komuna ku shqiptarët janë katër për qind më pak janë ato të Dibrës, Zhelinës e Jegunovcit. Ulja e banorëve shqiptarë po e çon komunën e Dibrës të banueshme nga vetëm 54 për qind shqiptarë (nga afro 60 për qind në vitin 2002).
Në Komunën e Petrovecit përqindja e shqiptarëve është 18 për qind, ndërsa në vitin 2002 ishte mbi 22 për qind. Komuna si Saraji, Likova gjatë këtyre viteve në vend që të shtojnë numrat kanë pësuar humbje, ato numërojnë një për qind banorë më pak, ashtu si Studeniçani, komunë kjo me moshën më të re të popullsisë, ka mbetur e pandryshuar sa i takon përqindjes së banorëve shqiptarë që gjatë këtyre viteve rezulton e pandryshuar, vetëm 68 për qind. Trendet negative të shtimit natyror të popullsisë në vendbanime shqiptare, si Saraji, Tetova, Gostivari, Dibra, Likova u vërejtën gjatë tremujorit të fundit të vitit 2016, ku u shënuan për herë të parë ulje të ndjeshme të natalitetit. Pa reduktim të popullsisë po me rritje shumë të vogël të numrit të tyre renditen Tetova ( me një për qind më shumë shqiptarë), Gazi Baba me tre qind më shumë. Ndërsa shtimi i popullsisë shqiptare është më i ndjeshëm në komuna si Butel (16 për qind më shumë shqiptarë), Çairi (10 për qind më shumë), Haraçinë e Shuto Orizari me nga 4 për qind më shumë banorë shqiptarë. Surpriza e këtyre rezultateve ishte në komunën e Çashkës, e vetmja ku përqindja e shqiptarëve është e lartë, e ku numërohen mbi 15 për qind shqiptarë më shumë sesa në vitin 2002 (nga 35 për qind në 50.76 për qind). (koha.mk)