Në një sistem ku ende është thellë i ngulitur mendësia shovene, nuk ka se si të krijohen mekanizma mbrojtës ndaj abuzimit, ndërsa debati mbi kualitetin dhe kuantitetin duhet të jetë absolutisht debat brenda komunitetit artistik shqiptar, dhe jo ti bëhet kualitetit të projekteve shqiptare vlerësim (tekniçki) nga komisionet me shumicë maqedonase, ku shumica e projekteve nuk kalojnë në komisione jo shkaku i Programës së ofruar, por të njëjtat refuzohen se “tekniçki ne gi ispolnuvat uslovite”
Nga Valmir AZIRI
Që pas luftës së 2001-shit dhe ndryshimeve kushtetuese, synimi për të arritur përfaqësimin adekuat ka qenë luftë permanente institucionale dhe politike e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nuk do mend, një sistem i cili ka qenë i determinuar që të jetë diskriminues dhe të mbrojë hegjemonizmin e maqedonasve në këtë shtet jo rrallë herë është treguar më se rezistues ndaj ndryshimeve dhe thirrjeve për tu adaptuar në realitetin e ri që u krijua pas proceseve të sipër përmendura. Nëse do të kishte një gradacion të diskriminimit me notim nga një deri tek dhjeta si zakonisht në dy lëmit kyçe, atë të kulturës dhe arsimit nota e diskriminimit do të ishte maksimale.
Është e pritshme duke marr parasysh që këto dy lëmi janë katalizatori dhe fuqizuesi kryesor për ngritjen e vlerave civilizuese tek një popull. Populli shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke qenë i etur për arsim dhe kulturë ka qenë çdoherë i gatshëm që të përballoj çdolloj sakrifice vetëm e vetëm që të krijojë Institucionet arsimore dhe kulturore.
Sot, kur ne kemi tre Universitete dhe një mori institucionesh kulturore debati mbi kualitetin dhe strategjinë e kulturës dhe arsimit është në nivel jo të kënaqshëm. Si duket, jemi rahatuar me disa të arritura dhe po futemi në një letargji kolektive karshi një bote vibrante dhe shumë sfiduese. Viteve të fundit thuajse pa përjashtim, shpallja e rezultateve të Programës në Ministrinë e Kulturës, ngjall debate aty për aty dhe pastaj në mënyrë të çuditshme, debatet heshtën dhe kultura ngelet në skajet e interesit shoqërorë tek ne.
Kur jemi te rezultatet e Programës së kulturës, është Programë e cila vendos për financimin e Institucioneve kulturore, shoqatave jo qeveritare, artistëve të pavarur e të tjerë. Pra, është një program shumë komplekse dhe me shume shtresa, nga ku përcaktohet dinamika e veprimtarisë kulturore për vitin që vjen.
Çfarë nxori në pah kjo Programë? Por, çdoherë kur me këtë ministri udhëheq kuadër jo shqiptarë ndizet alarmi i pasigurisë dhe i mundësisë së diskriminimit ndaj kulturës shqiptare nga ky institucion, dyshim ky që u vërtetua me mbështetjen skandaloze që ju dha kulturës shqiptare këtë vit.
Ligji i Ministrisë së Kulturës, i jep të drejtë të plotë ministrit të kulturës, që vet të përzgjedh komisionet këshilluese dhe të sjellë Programën e Ministrisë së Kulturës dhe si zakonisht kur një ministër me kaq “pushtet”, e me një qasje jo të drejtë dhe kur udhëheqë një proces komplet përjashtues atëherë arrihet deri te abuzimi i kësaj të drejte dhe krijon një mosbesim mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Lind pyetja legjitime se cili është mekanizmi mbrojtës nga ky abuzim me ligjin dhe të drejtën e vendimmarrjes! Ndryshime imediate në Ligjin për kulturë ku në ligj do të kërkohet shprehimisht përfaqësimi i drejtë dhe duke u bazuar në këtë – hisja e shqiptarëve në Institucione e ka të patjetërsueshme të thirret në përfaqësimin procentual, pasi siç e thamë më herët, në një sistem ku ende është thellë i ngulitur mendësia shovene, nuk ka se si të krijohen mekanizma mbrojtës ndaj abuzimit, ndërsa debati mbi kualitetin dhe kuantitetin duhet të jetë absolutisht debat brenda komunitetit artistik shqiptar, dhe jo ti bëhet kualitetit të projekteve shqiptare vlerësim (tekniçki) nga komisionet me shumicë maqedonase, ku shumica e projekteve nuk kalojnë në komisione jo shkaku i Programës së ofruar, por të njëjtat refuzohen se “tekniçki ne gi ispolnuvat uslovite”.
E patjetërsueshme është dhe ngritja e nivelit të projekteve dhe performancës institucionale nga shqiptarët por edhe Ministria e Kulturës do të duhet të jetë një mbështetës kryesor në arritjen e kësaj tendence dhe jo një mosbashkëpunues, dhe të sillet me dikë si nanë e me dikë si njerkë!
P.S. E di se i gjithë ky shkrim mund të ju duket absurd dhe të thoni ç’ne një funksionar i lartë po çirret nëpër gazeta dhe rrjete sociale për punët i cili duhet të flas në Institucione. Të nderuar, besoni se debatet thelbësore e parimore zhvillohen në bazë ditore brenda ministrisë së kulturës por i gjithë fokusi im është që njëherë e përgjithmonë të krijojmë mekanizma mbrojtës kundrejt diskriminimit sistemor kur Ligji dhe rrethanat e caktuara e mundësojnë një gjë të tillë. Andaj kjo klithmë e imja, për reflektim shoqëror ndaj proceseve në kulturë është reagim jo për tu shfajësuar por për të inicuar një debat gjithëpërfshirës brenda komunitetit artistik shqiptarë, për ti larguar divergjencat, larg tifozllëqeve partiake e interesave meskine dhe për të ofruar dhe për tu bërë bashkë për një kauzë madhore ku do të debatonim, do të shtjellonim dhe do të krijonim një botëkuptim të përbashkët dhe një strategji afatgjate se nga duhet të lëviz kultura shqiptare këtu tek ne.
(Autori është Sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës)