Përplasjet e partnerëve të koalicionit qeveritar para zgjedhjeve në vendin tonë tani janë bërë të zakonshme dhe po përsëriten në cikël zgjedhor. Ekspertët thonë se divergjencat etnike bëhen të theksuara dhe agresive në fushata zgjedhore, për tu shndërruar pastaj në pazare politike, në dëm të nevojave jetike të qytetarëve
Zenel MIFTARI
Shkup, 9 korrik – Tani më kemi hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 15 korrik, ndërkohë që partitë politike, e në veçanti partnerët e koalicionit qeveritar kanë filluar konflikt verbal mes tyre, duke ia hedhur njëri tjetrit fjalët në tubimet partiake, por edhe në paraqitjet televizive. Zakonisht para zgjedhjeve po ngritën tensionet mes partnerëve të koalicionit, për arsyeje të ndryshme por të pa qarta deri më tani, sepse shpesh ka ndodhur që edhe pas një fushata të ashpër mes tyre, përsëri kanë bërë koalicion bashkërisht.
Deklaratat thumbuese të njëpasnjëshme të liderit të LSDM-së dhe atij të BDI-së, kanë ngritur tensionet mes këtyre dy partive politike, ndonëse këto shfaqje politike- teatrale nuk mund të konsiderohen “premierë” në vendin tonë. Ajo që për opinionin nuk është ende qartë është dilema nëse këto përplasje po bëhen për dallime ideologjike apo vetëm për disa vota më shumë. Lideri socialdemokrat Zaev, së fundmi ka akuzuar partnerin e deritanishëm qeveritar, Ahmetin, se ka qenë në shërbim të Gruevskit. Për rrjedhojë, sipas tij, edhe meritat për miratimin e ligjit të gjuhëve i përkasin atij dhe jo Ali Ahmetit. Ndërkohë, kreu i BDI-së, duke komentuar këto deklarata, në një paraqitje televizive ka thënë se Zaevi para daljes në miting i pinë dy-tre gota raki dhe nuk e din se çka flet, kurse më pas në telefon kërkon falje për atë se çka ka deklaruar një natë më herët, ka thënë Ahmeti. Sipas njohësve të çështjeve politike, përplasjet gjatë kohës së fushatës zgjedhore në vendin tonë janë të njohura dhe përsëriten vazhdimisht.
Shkrimtari, Lulzim Haziri, për gazetën KOHA, është shprehur se e hollë është, mbase e padukshme, vija ndarëse ideologjike në programet e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, divergjencat dhe përplasjet që ndodhin mes partive politike që dikur kanë qenë në koalicione kryesisht kanë të bëjnë me ego dhe interesa të ngushta të liderëve politik, siç tha ai, të cilët ende nuk kanë arritur që t’i tejkalojnë paragjykimet e tyre etnike, përkundër deklarimeve të tyre gjatë kohës së qeverisjes në koalicione dhe ndihmesave të ndërsjella në zgjedhjet lokale. “Aq më tepër, divergjencat etnike bëhen të theksuara dhe agresive në fushata zgjedhore, për tu shndërruar pastaj në pazare politike, në dëm të nevojave jetike të qytetarëve. Në mungesë të partneriteteve principiele mes partive politike shqiptare dhe maqedonase para fushatave zgjedhore (Lëvizja Besa do të mbahet mend si pionier i këtij partneriteti), krijohen partneritete jo principiele pas zgjedhore të cilat të përbashkët kanë pazarin, e jo principin. Nga këtu, pozicionimet armiqësore mes partnerëve të qeverisjes paraprake janë refleks i mungesës së parimeve, hedhjes hi syve të qytetarëve të ngarkuar me paragjykime etnike dhe mesazhe për miqësi të reja të interesit”, ka deklaruar Lulzim Haziri.
Ai shtoi se tash për tash këto janë vetëm në rrafshin e deklaratave të cilat shpesh i gëlltisin lehtë. “Ajo që mbetet është mos durimi etnik mes qytetarëve i nxitur nga liderët e tyre politik”, përfundoi Haziri. Ndryshe, këto janë zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare që do të mbahen në vendin tonë. Në këto zgjedhje do të ketë masa dhe protokolle të veçanta për votim, për shkak të virusit korona nuk do të lejohet votimi pa maska, si dhe duhet të dezinfektohen duart para dhe pas hyrjes në qendrën e votimit. (koha.mk)