Përplasje rreth borxheve

Ka dhjetëra raste kur të qytetarët kanë arritur të dëshmojnë në procedurë tek noteri se nuk janë lajmëruar me kohë dhe në mënyrë përkatëse për ekzistimin e borxhit . Pasi është konstatuar se nuk ka dëshmi për lajmërimin e borxhit, pagesa e borxhit është anuluar

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 14 dhjetor – Konsumatorët në Maqedoninë e Veriut duhet më mirë të informohen për të drejtat e tyre që mund ti realizojnë qoftë përmes Organizatës së Konsumatorëve, Inspektoratit shtetëror të tregut si dhe agjencive të tjera. Në praktikë po dëshmohet se nëse ka fakte, dëshmi dhe argumente, konsumatorët shpesh edhe mund të zhdëmtohen apo të fitojnë kompensimin e caktuar. Konsumatorët edhe mund të evitojnë pagesën e llogarive të vjetra të rrymës, ujit apo ngrohjes, por vetëm në rast se ato nuk janë ankimuar në gjyq, apo në rast se konstatojnë tek noteri se nuk janë lajmëruar së paku dy herë se kanë borxh për të paguar për shërbimet publike, shkruan gazeta KOHA.

“Ekzistojnë me dhjetëra raste të qytetarëve të informuar për të drejtat e tyre dhe që kanë qenë këmbëngulës dhe të cilat kanë arritur të dëshmojnë në procedurë tek noteri se nuk janë lajmëruar me kohë dhe në mënyrë përkatëse për ekzistimin e borxhit . Pasi është konstatuar se nuk ka dëshmi për lajmërimin e borxhit, edhe është anuluar pagesa e borxhit”, thotë Tatjana Tasevska nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë. Sipas saj, konsumatorët duhet të dinë se gjykata nuk mban llogari për vjetërsinë e borxheve sipas detyrës zyrtare, por nevojitet që borxhliu të theksojë këtë.

Në praktikën e Organizatës së Konsumatorëve ka pasur edhe raste kur kompanitë e udhëtarëve për shkak të anulimit të udhëtimit për një ditë në drejtim të SHBA-ve, i kanë dëmshpërblyer udhëtarët me nga 600 euro, mirëpo ka pasur edhe raste kur edhe përkundër vonesës prej 8 orë të udhëtimit ndaj Vјenës, nuk janë kompensuar për shkak të humbjes së kohës dhe humbjes së takimeve afariste nën arsyetimin se kanë ndodhur raste VIS MAJOR, apo fuqi mbinatyrore , si kushtet e papërshtatshme të motit për fluturim , andaj edhe nuk ka nevojë për kompensimin e pasagjerëve. Nga Organizata e Konsumatorëve thonë se konsumatorët nuk duhet të dekurajohen se nuk do të fitojnë të drejtat e tyre për shembull në rastet e shkeljeve të kontratave nga ana e agjencive turistike. “Në rast se konsumatorët kanë dëshmi dhe fakte mund të kërkojnë që jo vetëm t’iu kthehen të hollat, por të kërkojnë edhe dëmshpërblim lidhur me udhëtimet turistike përmes ngritjes së padive në gjyq. Pra mbetet që konsumatorët të vendosin se a do të fitojnë satisfaksionin e tyre përmes gjykatës apo përmes Inspektorarit Shtetëror të Tregut”, thotë kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Mirajana Llonçar-Vellkova.

Problem tjetër për të cilin ankohen konsumatorët në vitet e kaluara është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e më shumë gjësendeve të tekstilit jashtë hapësirave afariste të firmës, por nëpër hotelet dhe restorante. “Konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm që gjatë blerjeve të tilla të kërkojnë llogarinë fiskale, të fitojnë kontratën valide për shitblerje që do të përmbajë edhe klauzolën për afatin e kthimit prej 14 ditë të mallit dhe jo për tre ditë”, thotë përfaqësuesi ligjor i organizatës, Branko Kostovski. Sipas tij, ato kërkojnë nga kompetentët që të ofrohen në këto raste kontrata të unifikuara të shitblerjes, Gjithashtu sugjerohet që konsumatorët të mos bien pre e sjelljes jo të ndershme të tregut ku ofrohet edhe një kontratë tjetër dhe thuhet se mund të arrihet marrëveshje për kredi konsumatore nga ana e bankave për blerjen e teshave me vlerë edhe prej qindra euro. Në praktikë bile thonë nga OKM,ka pasur edhe raste kur me marrëveshjet shitblerëse jashtë zyrave të firmave janë kontraktuar edhe shuma prej 500 deri 1000 euro ku blerësit janë kushtëzuar se nëse për ter ditë nuk e kthejnë mallin do të humbin 20 për qind të të hollave. Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë presin që me Ligjin e ri të ndryshuar dhe të plotësuar për mbrojtjen e konsumatorëve që pritet të miratohet në vitin 2020, të ofrohet mundësia e mbrojtjes më të madhe të konsumatorëve të ketë dispozita më të qarta ligjore si dhe të ofrohen instrumente më të mëdha për mbrojtjen kolektive të konsumatorëve .Nga atje shpresojnë se Ministria e Drejtësisë do të ndryshojë edhe Ligjin për Procedurë Civile në favor të mbrojtës më të madhe të konsumatorëve.