“Përplasje” miliarderësh

88

“Mendoj që raketat nuk janë zgjidhje,” thotë Gates ndërsa shton se blerja e biletës për udhëtim në hapësirë nuk është në listën e tij të dëshirave. Në vend të kësaj, Gates interesohet të shpenzojë më shumë para për krizat në planet, luftën ndaj pandemisë dhe reduktimin e efekteve të ngrohjes globale

Planet e miliarderëve të botës ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Filantropi Bill Gates, ka ambicie të tjera nga ato të Elon Muskut, që planifikon të dërgojë njerëz në Mars me raketat e kompanisë së tij Space X deri në vitin 2050. Gates nuk është “tifoz i Planetit të Kuq”. “Mendoj që raketat nuk janë zgjidhje,” thotë Gates ndërsa shton se blerja e biletës për udhëtim në hapësirë nuk është në listën e tij të dëshirave. Në vend të kësaj, Gates interesohet të shpenzojë më shumë para për krizat në planet, luftën ndaj pandemisë dhe reduktimin e efekteve të ngrohjes globale.

“Me njëmijë dollarë fondacioni im mund të blejë vaksina kundër fruthit dhe të shpëtojë jetë njerëzish”, thekson Gates. Fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” investon miliona dollarë për hulumtime dhe zhvillimin e vaksinave kundër fruthit dhe COVID-19. Një praktikë e tillë financimi ka bërë që të qarkullojnë edhe një sërë teori konspirative, si ato se Gates përmes fondacionit të tij dëshiron t’u instalojë mikroçipa banorëve të Tokës dhe të marrë kontrollin e plotë mbi ta. Gates i cili këto ditë ka promovuar librin “Si të shmangim katastrofën klimatike” tha fjalë të mira për miliarderin tjetër Elon Musk, se me Teslan ia ka lehtësuar punën dhe ka përmirësuar jetën qytetarëve duke i bërë veturat ekologjike.

E këto komente të tij për Musk mund të habitin disa persona, pasi që kohë më parë dyshja kanë pasur “konflikt verbal” përmes statuseve në rrjete sociale. Gatesi sugjeroi kreut të Space X që të mos përzihet në “fushën e tij”, pas komenteve për COVID-19. Në kundërpërgjigje Musk e quajti Gates një “emër të papërshtatshëm”. Sipas indeksit Bloomberg të miliarderëve,Gates duhet të investojë shumë në “nismat e tij” për ta zënë vendin e Musk dhe Bezos, të cilët nga fillimi i vitit po luftojnë për titullin e njeriut më të pasur të botës. Të dy janë të njohur si “adhurues” të hapësirës, kolonizimit të sistemit diellor dhe të organizatorë të udhëtimeve në hapësirë me raketa. Kompanitë e tyre rivale kanë ndërtuar raketat Space X dhe BlueOrigin.