Prishtinë, 6 dhjetor – Përfaqësues të familjeve të viktimave të masakrës së vitit 1999 në fshatin Reçak të Kosovës ngritën padi penale para Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për shkak të deklaratës së tij se kjo masakër është “trilluar” nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe ish shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë Uiliam Uoker.
Në padinë penale që në emër të të afërmve të 45 viktimave të masakrës në janar të vitit 1999 e dorëzoi avokati Tomë Gashi, presidenti serb akuzohet se “me qëllim shkakton dhe përhap urrejtje, grindje dhe padurim mes bashkësive etnike të shqiptarëve dhe serbëve të cilët jetojnë në Kosovë”.
Vuçiqi dje mbrojti ish ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale të Kosovës Ivan Todosijeviq, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vite burg për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare ose etnike, grindje dhe padurim”.
Todosijeviq është dënuar sepse në mars të këtij viti, në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, i quajti shqiptarët mashtrues, e mohoi katastrofën humanitare në luftën e Kosovës, ndërsa masakrën në fshatin Reçak në vitin 1999 e quajti “trillim”. Ai pas kësaj u shkarkua, në prill, nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj, ndërsa pak më vonë kishte edhe padi penale nga ana e Prokurorisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë e vlerësoi vendimin e gjykatës në Prishtinë si të “tmerrshëm” dhe porositi se ai dhe të gjithë pjesëtarët e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe (LS), pjesëtar i së cilës është Todosijeviq, do të vazhdojnë të thonë se masakra në Reçak është fabrikuar.
Vuçiqi e akuzoi për mashtrim edhe shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë Uiliam Uoker, se kishte gënjyer kur kishte bërë të ditur se forcat serbe kishin kryer masakër ndaj 45 shqiptarëve në Reçak, që ishte shkaku i drejtpërdrejtë për fillimin e fushatës ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe në mars të vitit 1999, që përfundoi me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova në qershor të të njëjtit vit.
“Të gjithë anëtarët e LS-së do ta përsërisin të njëjtën dhe unë do ta përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar dhe gjithçka është falsifikuar nga mashtruesi dhe hajni Uiliam Uoker”, deklaroi Vuçiqi në Beograd, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për koment për vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Mediet në gjuhën shqipe në Kosovë japin vërejtje se cilësimi i Vuçiqit për Uokerin është identik me atë të shefit të dikurshëm të partisë, liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili ishte dënuar me 10 vite burg nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime të luftës në ish Jugosllavi.
Pas deklaratave të Vuçiqit kishte reagime të ashpra nga politikanët në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në profilin e tij në Tuiter shkroi se autoritetet në Serbi “mohojnë një nga krimet më të mëdha ndaj civilëve që kishte ndodhur në Evropë dhe të cilën e konfirmoi edhe Tribunali i Hagës”.
“Serbia duhet të heqë dorë nga politika e gjenocidit, sepse pajtimi dhe drejtësia nuk mund të ndërtohen në bazë të mohimit të krimeve”, porositi Thaçi.
Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj shkroi se masakra në Reçak në vitin 1999 e tronditi gjithë botën dhe vlerësoi se “urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklaratat e tij të fundit”.
“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit (ish presidentit serb)”, shkroi Haradinaj.
Ai tha se “Republika e Kosovës është shtet multietnik, të cilin e përbëjnë shqiptarët dhe bashkësitë tjera dhe urrejtja ndaj cilido etnitet ndëshkohet me ligj”.
“Është për keqardhje që Serbia e cila konsiderohet shtet favorit nga ana e Bashkimit Evropian, vazhdon ta kultivojë urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe i mohon krimet e saj të gjenocidit”, ka shkruar Haradinaj.
Ish-ministri i Kulturës të Kosovës, zëvendëskryetar aktual dhe deputetet i Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet (PDK), Memli Krasniqi tha se nuk mund të flitet për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, derisa në krye të shtetit është Vuçiqi, të cilin e quajti të “çmendur”.
Krasniqi përmes një publikimi në Tuiter thotë se është turp për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) që nuk reagon në “fyerjet e tmerrshme” nga ana e Vuçiqiit të thëna pas aktvendimit të djeshëm të gjykatës në Prishtinë përmes aktvendimit për Todosijeviq.
“Si mund të flasim për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kur atë vend e drejton një i çmendur, i cili qartë i mohon gjenocidin dhe masakrat ndaj civilëve të cilat hapur janë kryer në Kosovë?! Krahas kësaj, është e turpshme për të gjithë personat zyrtar nga BE mohimi i këtyre fyerjeve të tmerrshme”, ka shkruar Krasniqi.
Mes tjerash, në deklaratën e Vuçiqit reagoi edhe ushtrues i detyrës shefi i diplomacisë kosovare Bexhet Pacolli, i cili në Tuiterin e tij e dënoi politikën e mohimit të krimeve të luftës nga ana e presidentit serb dhe Beogradi zyrtar.
“Kjo është kundër viktimave dhe pajtimit”, ka shkruar Pacolli.
Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku ka shkruar se “deklaratat të cilat i mohojnë krimet janë turp për Serbinë, ndërsa deklaratën e Vuçiqit e quajti “çmenduri totale”.
“Raçaku ka qenë tragjedi e cila ia zbuloi botës egërsinë e regjimit serb në Kosovë. Turp për Serbinë”, ka shkruar Çitaku.
Avokati i Todosijeviq, Nebojsha Vlajiq e vlerësoi aktvendimin si “skandaloz” dhe paralajmëroi ankesë.
“Aktvendimi është skandaloz. Dënimi i tillë për delikt verbal nuk ekziston madje edhe në ish Jugosllavi dhe kjo tregon si është situata dhe të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë, posaçërisht për pakicat”, deklaroi Vlajiq për mediat e Kosovës në gjuhën serbe.
Në aktvendimin e djeshëm të gjykatës së Prishtinës reagoi edhe drejtori i zyrës së Kosovës pranë Qeverisë së Beogradi, Marko Gjuriq, i cili potencoi se të gjithë serbët solidarizohen me Todosijoviqin. Partia megjithatë e ish ministrit, Listës serbe, paralajmëroi se nëse gjykata e apelit e konfirmon dënimin me dy vjet burg, do t’i tërheq përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës.(koha.mk)