Kundër ideve për shkëmbim të territorit e ndarjes ka dalë ish-kryeministri e ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha.
Pas një takimi me përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës, Berisha ka shkruar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve atje dhe ka rikujtuar se minoriteti serb në Kosovë, ka të drejta që nuk i ka asnjë komunitet në vend, raporton KTV.
Berisha kategorikisht është shprehur kundër atyre që i ka quajtur përpjekje destabilizuese të Serbisë.
Por, këto komente të Berishës, kanë marrë një kundërpërgjigje të ashpër nga Presidenti Thaçi, që ka mohuar ndarjen e shkëmbimin e territoreve, por e ka përmendur sërish bashkimin e Luginës me Kosovën.
Po në Facebook, Thaçi ka shkruar se nuk është i interesuar për këshilla, nga siç ka shkruar ai, e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.
Sipas Thaçit, bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën mund të bëhet në mënyrë paqësore në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.