Macroni vendosi të refuzonte kërkesën e Bin Salmanit, duke ia lënë në dorë Muzeut të Louvre-t për të negociuar me sauditët sesi duhet të ekspozohet piktura në ekspozitën retrospektive me veprat e Da Vincit. Në fund nuk u arrit marrëveshje dhe Muzeu ka heshtur lidhur me rastin
Një përplasje diplomatike, për një pikturë emblematike të Da Vincit. Bëhet fjalë për konfliktin midis Francës dhe pronarit të pikturës më të shtrenjtë në botë – “Salvator Mundi”. Portreti i “Jezu Krishtit” u shit 450 milionë dollarë, në një ankand të “Christie’s” në New York, në vitin 2017. Fillimisht detajet e marrëveshjes u mbajtën të fshehura, por pas disa hulumtimeve u kuptua që pronar i veprës është princi saudit Bin Salman. Mbi këtë pikturë ka kohë që diskutohet nëse është vepër e Da Vincit apo jo dhe çfarë ka ndodhur realisht? Në 2018-n ajo nuk u ekspozua ashtu siç ishte planifikuar, në muzeun “Louvre Abu Dhabi” dhe as pas një viti në ekspozitën e Muzeut të Louvre-t në Paris. Shfaqja e Luvrit, në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardos, u hap më 24 tetor 2019.
Ra në sy mungesa e “Salvator Mundi”-t. Ajo se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, do të jetë pjesë e premierës së dokumentarit “The Savior for Sale” (Shpëtimtari për shitje) i regjisorit francez, Antoine Vitkine. Zyrtarë të lartë nga qeveria e presidentit francez, Emmanuel Macron, kanë raportuar në formë anonime, se analiza shkencore të kryera nga Louvre konfirmojnë se vepra është realizuar në atelienë e Da Vincit. “Kërkesa e Mohammed bin Salman ishte shumë e qartë: shfaqeni ‘Salvator Mundin’ pranë ‘Mona Lizës’ dhe paraqiteni si pikturë të realizuar 100 për qind nga Da Vinci”, është shprehur një nga zyrtarët francezë. Sipas dokumentarit, disa anëtarë të qeverisë franceze, përfshirë ministrin e Jashtëm, Jean-Yves Le Drian, lobuan në emër të kërkesës së Bin Salman.
Macroni vendosi të refuzonte kërkesën e Bin Salmanit, duke ia lënë në dorë Muzeut të Louvre-t për të negociuar me sauditët sesi duhet të ekspozohet piktura në ekspozitën retrospektive me veprat e Da Vincit. Në fund nuk u arrit marrëveshje dhe Muzeu ka heshtur lidhur me rastin. Historiani dhe kuratori i veprave të artit, Chris Dercon, ka thënë në dokumentar se sauditët kanë frikë nga ky debat. “Ata kanë frikë se njerëzit do të flasin brenda dhe jashtë vendit. “Ju i keni shpenzuar të gjitha këto para për diçka që nuk u realizua nga Da Vinci”, është shprehur ai. Piktura u ble fillimisht në 2005-n për vetëm 1 mijë e 175 dollarë nga një tregtar arti në Neë York dhe u restaurua në SHBA. Sipas ekspertizës britanike, piktura e humbur prej kohësh është e Da Vincit dhe u prezantua si e tillë në Galerinë Kombëtare të Londrës në vitin 2011, para se t’i shitej një oligarku rus për 127.5 milionë dollarë.