Fatos RUSHITI
Shkup, 9 prill – VMRO-DPMNE insiston se rrugëdalja nga kriza politike është mbajtja e serishme e zgjedhjeve parlamentare së bashku me ato lokale, ku qytetarët do të jepnin vlerësimin për siç e quajnë ato, Platformën e Tiranës, shkruan gazeta KOHA. Por sipas LSDM-së, mbajtja e zgjedhjeve të reja është e papranueshme pasi qytetarët u deklaruan qartë më 11 dhjetor se kush duhet ta drejtojë vendin. Nga ana tjetër zgjedhjet e reja mbeten opsioni kryesor për partinë e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, përmes të cilave qytetarët, siç theksojnë, nuk do të “mashtroheshin me Platformën e Tiranës”. “Vetëm kështu qytetarët e Republikës së Maqedonisë nuk do të ndjehen të mashtruar”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së të lëshuar të dielën. Sipas kësaj partie, populli i ka lexuar gënjeshtrat e LSDM-së dhe nuk u lejoi të shkelin interesat më të larta shtetërore dhe kombëtare. Partitë shqiptare , theksojnë nga VMRO-DPMNE, kanë konfirmuar se ka Platformë, ndërsa kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka për obligim ta realizojë atë. Qytetarët, thekson VMRO-DPMNE, me të drejtë janë të revoltuar dhe me të drejtë janë në rrugë për 40 ditë. Ata qartë e tregojnë mendimin e tyre për politikën shkatërruese të cilën LSDM e zhvillon, thonë nga partia e Gruevskit. Ndërkaq, LSDM duke iu kundërpërgjigjur kërkoi që VMRO-DPMNE të pranojë, siç theksojnë, se është opozitë dhe të mundësojë transfer të qetë të pushtetit. Sipas LSDM-së, “udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së nuk mund t’i mbajë peng qytetarët e Maqedonisë dhe nuk guxon të nxisë dhunë mbi shumicën e qytetarëve dhe shumicën parlamentare”. Krahas vullnetit të qartë të shprehur të shumicës së qytetarëve për ndryshime, thekson LSDM, e tërë bashkësinë ndërkombëtare demokratike bën thirrje në respektimin e parimeve demokratike, të arsyes së shëndoshë dhe transfer të qetë të pushtetit. Por, përtej përplasjes mes dy partive maqedonase dhe bllokimit të procedurave parlamentare, komunat rrezikojnë të pësojnë si pasojë e mos-shpalljes së zgjedhjeve lokale. Kryetarët e komunave thonë se moszgjidhja e krizës politike dhe zvarritja e konsolidimit të Kuvendit, po bllokon punën e institucioneve komunale, sepse kjo pamundëson shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat ishin paraparë të mbahen në maj të këtij viti. “Shtyrja e zgjedhjeve lokale që në bazë të ligjit duhej të mbaheshin në maj të këtij viti, krijon vakumin kushtetues dhe ligjor, që kryetarët e komunave të vazhdojnë mandatin me legjitimitet të plotë në bazë të Ligjit për pushtetin lokal. Kryetarët e komunave në momentin që u skadon mandati, nuk kanë bazë kushtetuese për të nënshkruar çfarëdo lloj vendimi që është prodhim i pushtetit lokal, kjo vlen për të gjitha sferat”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Tahir Hani, ish-ministër i Pushtetit Lokal. Kryetarët e komunave thonë se ballafaqohen me një situatë tejet të vështirë pasi nuk mund të realizojnë një pjesë të madhe të shërbimeve ndaj qytetarëve, për shkak të kufizimit të kompetencave. Zoran Damjanovski, kryetar i Komunës së Kumanovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se komunat do të bllokohen tërësisht nëse së shpejti nuk arrihet një zgjidhje për krizën politike, zhbllokimin e Parlamentit me këtë dhe zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila do të duhet t’i organizojë zgjedhjet lokale në një afat sa më të shkurtër kohor. “Ne, si komuna, do të bllokohemi tërësisht nëse nuk arrihet një zgjidhje për të dalë nga kriza vendi, përkatësisht konsolidimi i Parlamentit si institucion ligjvënës ku do të duhet të kalojnë ndryshimet rreth Ligjit për pushtetin lokal me atë që do t’u vazhdohet mandati i kryetarëve të këshillave të komunave derisa të krijohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve”. “Madje, komunat që nuk drejtohen nga kuadri i partive politike në pushtet,veçanërisht nëse s’janë nga VMRO DPMNE-ja ato komuna në vazhdimësi përballen me presion nga pushteti qendror, inspektorati financiar, drejtoria e të ardhurave publike si dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, thotë Damjanovski. Ndërkaq, ish-kryearti i komunës së Studeniçanit të Shkupit, Alaudin Zeqiri, aktualisht ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë sqaron se do të goditet veçanërisht sektori i biznesit, sepse komunat në këtë situatë janë të detyruara t’i bllokojnë të gjitha projektet e planifikuara. “Komunat në përgjithësi, në tërësi nuk do të mund t’i përpilojnë projektet, të cilat i kanë filluar ose ato që janë me karakter sezonal, sepse gjatë stinës së pranverës dhe atë të verës zakonisht realizohen më shumë projekte, por këto tani janë bllokuar deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve”. “Kështu që, komponentët zhvillimorë janë të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me dispozitat juridike dhe pritet që brenda këtij viti të ketë një ngërç apo bllokim të tërësishëm të projekteve infrastrukturore që do të paraqesë një goditje për sektorin e ndërtimtarisë, por edhe të biznesit në përgjithësi”, thotë Zeqiri. Ndryshe, në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, komunat në Maqedoni paraqesin hallkën më të ngushtë mes pushtetit dhe qytetarëve, në këtë drejtim ekspertët thonë se mosfunksionalizimi i komunave do ta shtojë krizën në vend dhe kjo në formë direkte do të pamundësojë shërbimin ndaj qytetarëve në më shumë dimensione.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara