Nervat te Reali i Madridit janë në maksimumin e mundshëm dhe sikur të mos mjaftonin lajmet problematike nga fusha e lojës, nuk mungojnë edhe ato jashtë saj, ku protagonist është bërë portieri i skuadrës, Tibo Kurtua.
Ky i fundit ka përfunduar në polici, është vetëdorëzuar më saktë, teksa ka pasur një përplasje me një fotograf.
“Gardiani” belg, i cili së fundmi ka përfunduar edhe në shënjestrën e medias rozë, si rrjedhojë e një marrëdhënieje sekrete të zbuluar me modelen Alba Karijo, ka shpërthyer në nervozizëm në orët e vona të mbrëmjes së martës.
Pasi ka vënë re se ai po ndiqej nga një makinë, ku prezent përveç shoferit ishte edhe një paparac, ai ka goditur automjetin që e ndiqte, por nga frika se mos denoncohej në polici, gjë që nuk ishte bërë nga ndjekësit e tij, Kurtua është vetëdorëzuar, duke shpjeguar ngjarjen dhe është lënë i lirë menjëherë.