Organet e rendit me seriozitet duhet ti qasen organizimit të mbajtjes së referendumit. Paralajmërimet për veprimet e mundshme të strukturave kriminele kundër procesit integruese të Maqedonisë, drejt NATO-së dhe BE-së, sipas ekspertëve vendas nuk duhet anashkaluar. Ekspertët vlerësojnë se një hap drejtë referendumit të suksesshëm është njoftimi i opinionin me këtë lloj të grupit kriminel që së fundmi u përmend nga MPB-ja
Omer XHAFERI
Shkup, 29 korrik – Policia e shtetit dhe organet tjera të sigurisë duhet të jenë të gatishmërinë të plotë rreth incidenteve të mundeshim që mund të shkaktohet nga struktura të caktuara, të cilët nuk e dëshirojnë integrimin e Maqedonisë, në NATO dhe BE. Deklarata e njeriut të parë të Ministrisë së Brendshme, Oliver Spasovskit, se në vendin tonë ekzistojnë grupe të caktuar që agjitojnë kundër realizimit të suksesshëm të proceseve integruese drejtë BE-së, për njohësit e rrethanave paraqet një sinjal që nuk duhet nëpërkëmbur.
Anëtari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani, për gazetën KOHA, shprehet se kjo strukturë kriminele (e apostrofuar së fundmi nga MPB), nuk mund të ndikoj shumë mbi ndonjë rezultat negative të referendumit. Mirëpo, ai vlerëson se ato mund të krijojnë situatë që mund të përcillen me incidente të përmasave të ndryshme, varësisht forcës dhe mbështetjes që ata e gëzojnë.
“Mbase dihet se ato ekzistojnë dhe veprojnë si të tilla (që e konfirmon edhe MPB), atëherë duhet të rritet gatishmëria e strukturave policore, me vetmin qëllim që ata të mbahen nën kontroll dhe mos t’ju jepet shumë hapësirë për krijimin e incidenteve. Ndryshe, nuk besoj se qëndrimet e tyre i pranojnë qytetarët e vendit tonë deri në atë masë që referendum mos të jetë i suksesshëm”, thekson Ramadani.
Disponimi i popullatës rreth integrimeve në NATO dhe BE, sipas shumë ekspertëve vazhdon të qëndroi i njëjti, respektivisht sipas Ismet Ramadanit, anketat e deritanishme tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë, janë “për” integrimin në NATO dhe BE.
Ish diplomati, Denko Maleski, duke e komentuar nivelin aktual të disponimit të popullatës për integrimet në NATO dhe BE, përfshi edhe marrëveshjen me Greqinë, thotë se në referendum shumica qeveritare e cila fuqishëm mbështet nga BE-ja, do të përballet me një strukturë e cila ndër vite ka propaganduar se kompromisi për emrin, në fakt paraqet humbje të identitet maqedonas.
“Tash e gjithë kjo tezë duhet të thyhet në referendum ku qytetarët do të shprehen ‘për’ apo ‘kundër’. Dëshiroj të besoj se pjesa më e madhe e qytetarëve janë të bindur në vendimet e drejta politike që i ndërmerr Qeveria aktuale dhe se shumica e qytetarëve do të prononcohet pozitivisht ndaj marrëveshjes me Greqinë dhe integrimet drejtë NATO-së dhe BE-së. Mbetet të shihet sa realisht loja e vjetër rreth patriotizmit i lidhur rreth emrit kushtetues do të ketë mbështetës. Kjo është ajo pasiguri e cila e shtron dilemën se si qytetarët do të prononcohen në referendum. Mendoj se fatkeqësi e madhe është se pse të gjithë partitë nuk janë të bashkuar rreth një nevojë për tu arritur kompromis, jo rreth dëshirave apo vullnetit të tyre dhe në këtë mënyrë ta udhëzojnë popullin në atë drejtim. Referendumi sipas meje është një ikje nga përgjegjësia, çështje kjo e cila i lihet qytetarëve që të vendosin. Sidoqoftë, shpresoj se Qeveria këtë periudhë të shkurtë do ta shfrytëzoj që popullit për çdo ditë ti shpjegoj përparësitë e marrëveshjes së arritur me Greqinë dhe përgatitjet për anëtarësim në NATO dhe BE”, thotë Maleski.
Një aktivitet i tillë, siç potencon ai mundet ta ngushtoj hapësirën e grupeve tjetra që ekzistojnë në Maqedoni e që janë kundër integrimeve në strukturat euroatlantike.
Veprimi i strukturave kriminele në Maqedoni, për të cilët ditë më parë foli Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sipas ish-diplomatit Maleski, duhet ta demaskohen dhe opinioni ti tregohet se kush e përbën këtë strukturë.
“Nëse MPB-ja posedon të dhëna se kush i përbën ato struktura kriminele, rreth asaj se a bëhet fjalë për ndonjë intervenim të huaj që bën përpjekje që Maqedoninë ta shkëpus nga procesi i integrimeve, atëherë duhet të tregoj. Njoftimi i detajuar i opinionit për këtë lloje strukture vlerësoj se do të kontribuoj në realizimin e suksesshëm të referendumit”, nënvizon Maleski.
Ndryshe, ministri Spasovski, në prononcimin e tij tha se prapa propagandës kundër anëtarësimit në NATO dhe BE, qëndron një grup i vogël, i cili nuk vepron ideologjikisht, por vetëm në drejtim të realizimit të interesave personale. (koha.mk)