Regjimi komunist përdorte radion dhe televizionin për qëllime propagandistike. Më 1992, Qeveria shqiptare posedonte dhe përdorte shtatëmbëdhjetë radiostacione AM dhe një stacion FM, që transmetonte dy programe shtetërore dhe programe të ndryshme rajonale dhe lokale.
Vlerësohej se rreth 514.000 shqiptarë kishin radio më 1987, sipas Qeverisë së SHBA-së. Nëntë stacione televizive, po ashtu, të kontrolluara nga regjimi komunist, transmetonin në afërsisht 255.000 pajisje televizive në pronësi të shqiptarëve më 1987, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse regjimi i dha përkrahje minimale komunikimit të brendshëm, ai ofronte një sistem të madh valësh të shkurtra dhe të mesme.
Programet transmetoheshin në tetë gjuhë të huaja, krahas shqipes, duke mbërritur në Afrikë, Lindje të Mesme, Amerikë Veriore, Amerikë Jugore dhe Evropë. Shërbimi shqiptar i transmetimit të jashtëm ishte një prej shërbimeve më të mëdha të tilla në botë. Programet ishin kryesisht propaganduese, sipas njohësve perëndimorë.