Shkup, 20 mars – Grupet e punës të pozitës dhe opozitës të premten duhet të takohen në një përpjekje të re që të arrihet pëlqim midis propozim-ligjit për Prokurorinë Publike me të cilin zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP), njofton gazeta KOHA.
Në takimin e parë të hënën nuk u arrit marrëveshje, por të dyja palët u pajtuan edhe një herë t’i shqyrtojnë argumentet, të analizohen qëndrimet dhe nëse ka ndryshime eventuale, përsëri të takohen të premten.
Për pushtetin është e papranueshme kërkesa PSP të jetë pjesë e Prokurorisë për krim të organizuar, e as ndërprerja e hetimeve dhe aktakuzave. Mbështesin zgjidhje PSP të vazhdojë si prokurori, dhe jo si sektor i një prokurorie tjetër.
Për opozitën, nga ana tjetër, është e papranueshme PPS të mos përgjigjet para askujt dhe vetëm të krijojë buxhet, të cilin askush nga jashtë nuk do ta kontrollojë. Një dallim tjetër i rëndësishëm është fati i hetimeve të cilat janë në vijim nga PPS, procedurat parahetimore dhe aktakuzat të cilat janë ngritur pas 18 muajsh nga dorëzimi i materialeve.
Grupi i punës i opozitës paralajmëroi se deri nesër do të shtrojë amendamente për ligjin. Toni Menkinovski, i cili e kryeson grupin, thotë se kanë vërejtje në 120 faqe por se ka hapësirë për marrëveshje.
Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për MIA-n deklaroi se janë të përgatitur për biseda me opozitën për çdo çështje që është e argumentuar, por kjo të mos jetë në dëm të shtetit dhe të institucioneve të sistemit. Shpreson se ligji për prokurorinë publike do të sillet në kohë, para raportit të KE-së për vendin dhe vendimit të pritshëm për fillimin e negociatave inkuadruese.
“Më vjen mirë që bisedimet filluan, e di se deri në fund të kësaj jave do të ketë materiale konkrete me shkrim rreth disa propozimeve, besoj se është e mundur në kohë ta sjellim ligjin për prokurorinë publike, në të cilën është e inkorporuar PPS si kapacitet i krijuar. Edhe një herë përmend, kjo prokurori publike, siç është vendosur edhe në ligjin e ri, do ta përndjek pushtetin, pushtetin aktual. Kjo prokurori publike është kapacitet ndaj të cilit do të synojnë edhe prokuroritë e tjera edhe materialisht, edhe financiarisht edhe me pajisje. T’i japim shans një ligji të tillë dhe të gjithë jemi këtu në shtet me besim ndaj institucioneve të vazhdojmë t’i ndërtojmë reformat”, deklaroi Zaev.
I pyetur nëse është i gatshëm të pranojë ndërrimin e Katica Janevas, Zaev thotë “absolutisht jo”, pasi me të do t’u jepej mesazh i keq atyre të cilët kanë “rezistuar, mburrur, duke besuar në shtetin, në sistemin, në Kushtetutë dhe ligjet, në kohë të vështira”.
Shumica në pushtet pret që ligji për Prokurorinë Publike të sillet deri në fund të marsit, gjegjësisht para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Kjo është edhe një prej kushteve për hapjen e negociatave me BE-në në fillim të qershorit. (koha.mk)