Sulmuesi argjentinas Diego Perotti është ankuar sërish për cilësinë e fushave në kampionatin italian, duke i krahasuar ato me të njëjtën që kanë terrenet sportive në klubet e kategorisë së tretë në Argjentinë. Në një intervistë të dhënë për “ESPN Redes”, Perotti akuzoi se pikërisht për shkak të cilësisë së keqe të terreneve ku luhen ndeshjet e kampionatit italian, ka pësuar shpesh dëmtime ai, por edhe futbollistë të tjerë.
“Të luash në “San Siro” kundër Interit apo Milanit, terreni është i njëjtë me atë të Deportivo Moron në kategorinë e tretë në Argjentinë. Edhe në “Olimpico” terreni është skandaloz. E kam ngritur zërin edhe kur u dëmtuan Zaniolo e Demiral, të dy në një ndeshje. Kam luajtur në Spanjë, në Almeria, që ndonëse ishte në vendin e fundit, kishte terren perfekt. Ndoshta ka lidhje me klimën, por mund të them me bindje që terrenet këtu lënë shumë për të dëshiruar”, tha Perotti.
Më pas sulmuesi i Romës foli edhe për dëmtimet e shumta që e kanë shoqëruar gjatë karrierës, duke se pikërisht për shkak të tyre, nuk ka arritur të ngrihet në nivelet më të larta të këtij sporti. “Kam pasur vazhdimisht dëmtime të lehta muskulore. Natyrisht që nuk kam mbetur gjatë larg fushave, por kur dëmtimet janë të shpeshta, nuk të lënë të stërvitesh në mënyrën e duhur dhe të dekurajojnë. Kjo më ka kushtëzuar ndjeshëm karrierën”, përfundoi Perotti.