Klodian Duro, ish-futbollisti i kombëtares kuqezi, është dënuar me 4 muaj burg nga Gjykata Penale e Tiranës. Ky është verdikti i “togave të zeza” për ish-futbollistin e njohur të disa skuadrave, brenda dhe jashtë vendit, i cili akuzohej për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”. Një “karton i kuq”, që mund të hidhet poshtë vetëm nga Gjykata e Apelit, ku Duro mund ta dërgojë çështjen si hallkë e radhës e gjykimit, kur vendimi konsiderohet i formës së prerë dhe duhet ekzekutuar.
Kjo nënkupton që për momentin, 42-vjeçari nuk do të shkojë pas hekurave, por nuk ka të drejtë t’i afrohet ish-gruas së tij, me të cilën ka edhe një vajzë. Mësohet se për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është llogaritur 4 muaj burg. Nëse Apeli e lë në fuqi, atëherë do të bëhet arrestimi i tij nga policia dhe dërgimi në burg. Për momentin, ish-futbollisti i kombëtares është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Klodian Duro u kallëzua penalisht nga ish-bashkëshortja për përndjekje.