Në vitin 2017 ishte asfaltuar pikërisht kjo rrugë që po ashtu ndodhet pranë Kazermës së qytetit të Tetovës, ku edhe është ndërtuar një gjysmërreth për të evituar kaosin në trafik. Kjo rrugë është po ashtu edhe e frekuentuar nga automjete të rënda, sidomos kamionë që lëvizin në rrugën Tetovë-Jazhincë
Urim HASIPI
Tetovë, 21 mars – Një nga rrugët e cila deri më tash ka qenë e lënë në harresë, kohëve të fundit ka filluar ti kushtohet rëndësi. Bëhet fjalë për një pjesë të rrugës “Bllagoja Toska”, në dalje për tek stadiumi i qytetit të Tetovës, respektivisht në daljen për në rrugën Tetovë-Jazhincë. Ditëve të fundit ka filluar vendosja e trotuareve, të cilët kanë munguar në rrugë, e cila është mjaft e frekuentuar, sidomos nga fëmijët, të cilët vijojnë mësimin në shkollën fillore “Migjeni” në lagjen Drenovec, shkruan gazeta KOHA.
Vendosja e trotuareve me bekatona është në vijim e sipër dhe pritet që të rregullohet kjo pjesë me një imazh edhe më të mirë, ngase vite me radhë në atë vend pamja ka qenë e mjerueshme, ndërsa trotuaret që kanë qenë vetëm në një pjesë të vogël, kanë qenë të dëmtuara. Gjatësia e trotuareve është 350 metra, me një sipërfaqe prej 1990 metra katrorë, ndërsa kostoja është 3 milion denarë. Krahas kësaj, po ashtu janë mbjellë edhe pemë përgjatë kësaj rruge, që është vazhdimësi e bulevardit “Bllagoja Toska”. Ndërtimi i trotuareve po ashtu do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kryesisht janë afër qytetit, sidomos zona e Drenovecit, të cilët nuk shfrytëzojnë automjete për punët e përditshme për të ardhur në qytet. Edhe siguria në këtë rrugë ka qenë nën nivel, për shkak të qarkullimit të mijëra veturave nga komunat e Tearcës, Jegunocit dhe atyre që qarkullojnë në drejtim të kufirit me Kosovën. Sipas informacioneve të Komunës së Tetovës, e cila është investitor, rregullimi i trotuarit do të pamundësojë edhe uzurpimin e hapësirave publike që ka ndodhur në këtë vend nga shitës të ndryshëm.
Sipas Komunës së Tetovë, trotuari do të mundësojë lëvizje më të lirshme, por edhe pamundësinë që në të ardhmen të ketë uzurpime të natyrave të ndryshme, sepse zonat rurale në dalje të qytetit zakonisht uzurpohen dhe më pas më vështirë është që të njëjtat të shfrytëzohen për lëvizje të lirë dhe pa pengesa. Ndërsa, për këtë pjesë ata thonë se do të jetë edhe më sigurt për fëmijët të cilët kanë afër edhe çerdhet. Nga Komuna e Tetovës njoftojnë se investime të tjera do të ndodhin edhe në lagje të tjera. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka thënë disa herë se shlyerja e borxheve nga ana e Qeverisë do të lejojë më shumë investime në sferën e infrastrukturës në Tetovë dhe viset rurale. Në ndërkohë, ende nuk ka informacione se çka ndodh me një pjesë të rrugës në këtë zonë, e cila ende nuk është përfunduar dhe është filluar gati se dhjetë vite. Bëhet fjalë për rrugën e cila do të duhej të kalonte përgjatë një pjese të lagjes Drenovec për në rrugën Tetovë-Jazhincë dhe do të shmangej një kaos në trafik që krijohet tek rrotullimi afër stadiumit.
Në këtë lagje janë rreth dhjetë shtëpi, të cilët vite me radhë presin që të rregullohet rruga, e cila është e paasfaltuar, por deri më tash pengesat kanë qenë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë edhe mungesën e planit urbanistik. Në vitin 2017 ishte asfaltuar pikërisht kjo rrugë që po ashtu ndodhet pranë Kazermës së qytetit të Tetovës, ku edhe është ndërtuar një gjysmërreth për të evituar kaosin në trafik. Kjo rrugë është po ashtu edhe e frekuentuar nga automjete të rënda, sidomos kamionë që lëvizin në rrugën Tetovë-Jazhincë. Me këtë krijohet edhe kaosi, sidomos në këtë periudhë kur edhe fillojnë punët ndërtimore dhe qarkullimi i kamionëve është enorm. (koha.mk)