Në muajt e parë të këtij viti në linjën e Leshnicës pati dy defekte serioze, ku për shkak të erozionit të dheut tubi kryesor prej ku qyteti furnizohet me uji pësoi dëmtime
Urim HASIPI
Tetovë, 3 korrik – Punëtorë të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova -Tetovë, Njësia e ujësjellësit dhe kanalizimit po zhvillojnë punime në lokacionin e Leshnicës, prej ku qyteti i Tetovës furnizohet me ujë të pijshëm nga linja e re. Këto punime, sipas drejtorit të Njësisë së ujësjellësit dhe kanalizimit, Lulzim Shaqiri, realizohen në drejtim të përgatitjes së vënies në funksion së kësaj linje të ujësjellësit në rast nevoje. “Punimet që janë duke u kryer në Leshnicë bëhen për shkak se në të kaluarën kemi patur probleme për shkak të erozionit të dheut, dhe shpesh herë ka ndodh që të mos ketë ujë të pijshëm. Prandaj, jemi duke zhvilluar punë që ky rrjet të jetë rezervë dhe i gatshëm për t`u vënë në funksion, nëse sistemi aktual që furnizon qytetin e Tetovës dështon dhe ka probleme, ne atëherë do të jemi të gatshëm që ta funksionalizojmë në mënyrë add hok”, thotë Shaqiri.
Për momentin, qyteti furnizohet me ujë të pijshëm me 500 litra në sekondë nga burimet ekzistuese. “Momentalisht kemi mbi 500 litra ujë në sekondë. Kjo sasi e ujit është e mjaftueshme për furnizimin e qytetin e Tetovës. Por kemi harxhim enorm nga qytetarët e pandërgjegjshëm që shfrytëzojnë ujin për pije në mënyrë joracionale. Gjithashtu, si rezultat i rrjetit te vjetër të ujësjellësit, kemi defekte të cilat sanohen nga ana e punëtorëve të Sektorit Ujësjellës dhe Kanalizim. Në bazë të përvojave disavjeçare, prurjet e ujit nga Mali Sharr në këtë periudhë janë konstante gjatë stinës së verës”, thekson Shaqiri.
Sipas tij, kjo sasi e ujit me të cilën për momentin furnizohet qyteti është e mjafuteshme dhe nuk përbën problem as edhe në lagjet më kritike të qytetit, të cilat në të kaluarën kanë patur probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. “Pika më kritike të furnizimit më ujë për qytetin e Tetovës kanë qenë pjesët e larta, sidomos kur ka rënie të sasisë së ujit në burime dhe në situatë kur sistemi në Leshnicë del nga funksioni në pranverë. Por, më kritike unë do t`i quaja lagjen Dardania, lagjja jashtë Vardarit, një pjesë e lagjes Drenovec që ndodhet poshtë tek ish fabrika e tullave, ku ka shfrytëzim enorm të ujit dhe shfrytëzim joracional” u shpreh Shaqiri.
Këtë verë, gjithashtu shton drejtori i Njësisë së ujësjellësit dhe kanalizimit, nuk do të ketë nevojë për masën e restrikcionit të ujit, dhe nëse do të ketë mungesë të ujit, atëherë menjëherë do të vihet në funksion edhe linja e Leshnicës. Përndryshe, në muajt e parë të këtij viti në linjën e Leshnicës pati dy defekte serioze, ku për shkak të erozionit të dheut tubi kryesor prej ku qyteti furnizohet me uji pësoi dëmtime, gjegjësisht është zhvendosur nga vendi dhe për pasojë deri në sanimin e këtyre defekteve, disa lagje të qytetit për disa ditë ngelën pa ujë të pijshëm. (koha.mk)